• e mërkurë, 21 janar 2026

Gjashtë kompani të huaja në garë për të instaluar Sisteme inteligjente të transportit në Korridorin 10

Gjashtë kompani të huaja në garë për të instaluar Sisteme inteligjente të transportit në Korridorin 10

Shkup, 4 janar 2026 (MIA) 

Lidija Velkovska

Në rrugët e Maqedonisë do të përdoren zgjidhje inovative për të përmirësuar kushtet e sigurisë dhe për të digjitalizuar menaxhimin e trafikut. Do të instalohen Sisteme Inteligjente të Transportit (SIT) dhe aktivitetet fillestare përfshijnë Korridorin 10, ndërsa ofertat nga gjashtë kompani të huaja që konkurruan në tenderin për përzgjedhjen e një kontraktori tashmë janë duke u vlerësuar.

Sistemet SIT duhet të instalohen në 200 kilometra rrugë deri në fund të vitit 2027. Ato pritet të përmirësojnë shërbimet transportuese, të sigurojnë informata në kohë reale për udhëtimin, siguri më të madhe përmes përdorimit të sistemeve të avancuara për paralajmërim dhe informata për gjendjen e rrugëve dhe aksidentet në kohë reale. Gjithashtu do të ulet koha e udhëtimit dhe emisionet e gazrave të dëmshëm.

Qendra Kombëtare për Menaxhim me Trafikun do të jetë përgjegjëse për ndjekjen, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e trafikut dhe mobilitetin e të gjitha rrugëve shtetërore dhe për sigurimin e informatave për shfrytëzuesit e korridoreve në lidhje me gjendjen e rrugëve, trafikun dhe udhëtimet.

Nga Ministria e Transportit për MIA-n i kanë ndarë aktivitetet të cilat zbatohen për të mundësuar zbatimit e sistemit SIT sipas gjatësisë së autostradës A1, Korridori 10 nga VK "Tabanoc" deri në VK "Bogorodicë".

Konkretisht, janë ndërmarrë aktivitete për përgatitjen e dokumentacionit të projektit për instalimin e sistemeve për kontrollin e peshës së automjeteve në lëvizje (WIM), për kontrollin e lëvizjes së automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme (HAZMAT) dhe për matjen e ndotjes së ajrit përgjatë Autostradës A1 (E75) - Korridori 10. Gjithashtu për dokumentacionin konceptual të projektit për Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Trafikut (QKMT), e cila duhet të jetë në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në Petrovec. Pjesë e aktiviteteve është edhe përgatitja e dokumentacionit të projektit për disa sisteme informacioni dhe aplikacione në QKMT, siç janë: një sistem për shpërndarjen dhe menaxhimin e video materialeve, aplikacione për menaxhimin e incidenteve rrugore, modelimin e trafikut, analizën e të dhënave të trafikut dhe një faqe interneti me një aplikacion për QKMT.

"Kemi siguruar në grant investimi në vlerë prej 13,5 milionë euro, i cili duhet të zbatohet në kuadër të Programit për transport të sigurt dhe të qëndrueshëm. Në vijim është evaluimi për përzgjedhjen e një kontraktori për instalimin e SIT sipas gjatësisë së Autostradës A1 (E75) - Korridori 10. Ofertat, në lidhje me këtë projekt, janë dorëzuar nga ana e gjashtë kompanive të huaja kredibile. Vlerësimi për përzgjedhjen e Mbikëqyrësit të instalimit të SIT në Autostradën A1 (E75) - Korridori 10 ka përfunduar", thonë për MIA-n nga Ministria e Transportit.

Ata njoftojnë se procedura e tenderit për rindërtimin dhe adaptimin e objektit për Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Trafikut në Petrovec duhet të fillojë në qershor të këtij viti, dhe puna duhet të përfundojë deri në fund të gushtit të vitit 2027.

Sipas dinamikës së planiifkuar për realizimin e të gjitha aktiviteteve projektuese, instalimi i pajisjes së përgjithshme për SIT në pothuajse 200 kilometra autostrada duhet të përfundojë deri në shtator të vitit 2027. Në këtë periudhë duhet të përfundojë edhe rikonstruimi i objektit të NPRRSH në Petrovec, që të destinohet për Qendrën Kombëtare për Menaxhim me Trafikun.

"Duke pasur parasysh instalimin e planifikuar të SIT në Korridorin 10 dhe Korridorin 8, duke përfshirë edhe segmentin e autostradës Milladinovc - Shtip, dhe me qëllim shmangien e krijimit të kostove të shumëfishta për ndërtimin e një qendre të veçantë për secilën pjesë të Korridorit, lindi nevoja për rregullimin e menaxhimit të trafikut në rrugët shtetërore nga një qendër e vetme e përbashkët. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Trafikut do të jetë përgjegjëse për monitorimin, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e trafikut dhe lëvizshmërisë në të gjitha rrugët shtetërore dhe ofrimin e informacionit për përdoruesit e Korridoreve në lidhje me gjendjen e rrugëve, trafikun dhe udhëtimin", sqarojnë nga Ministria e Transportit.

I gjithë rrjeti i rrugëve shtetërore është i ndarë në pesë rajone, të cilat do të mirëmbahen nga stafi i duhur profesional. Gjithashtu, të gjitha tunelet në vend me gjatësi mbi 500 metra duhet të menaxhohen nga QKMT.

Zbatimi i SIT në Korridorin 10, me gjatësi prej 172 km, duke përfshirë pjesën e Korridorit 8 (seksionet Miladinovci – Hipodrom dhe Hipodrom – Petrovec, me gjatësi prej 25 km), përfshin instalimin e disa sistemeve dhe pajisjeve të përparuara. Do të instalohet sinjalizim me dritë: disa lloje tabelash me mesazhe të ndryshueshme dhe tabela me shfaqje dinamike informacioni; stacione automatike meteorologjike; pajisje për regjistrimin, përpunimin dhe analizimin e video të dhënave: kamera video (CCTV), sistem shpërndarjeje, sistem automatik për zbulimin video të incidenteve: automjet i ndaluar, aksident trafiku, këmbësorë, etj., sistem për analizimin e shpejtësisë së automjeteve, numërimin dhe klasifikimin e automjeteve, matjen e lartësisë së automjeteve, sistem menaxhimi video; pajisje për kontrollin dhe menaxhimin e pajisjeve dhe rrjetit lokal të komunikimit; struktura mbështetëse (struktura çeliku për pajisje për tabela me mesazhe të ndryshueshme, kamera dhe stacione meteorologjike).

Pjesë e asaj pakete është rikonstruimi i objektit ekzistues të Qendrës së Menaxhimit të Trafikut në Petrovec me kalimin në QKMT, një qendër operative, pajisje harduerike dhe softuerike, një sistem të avancuar të menaxhimit të trafikut, si dhe Qendrën e Kontrollit të Trafikut në Negotinë - pajisje harduerike dhe softuerike.

Politika e transportit mbulon gjithashtu kërkimin dhe inovacionin në transport, logjistikën dhe zgjidhjet multimodale në transport, dhe thekson veçanërisht nevojën për të lidhur qendrat kombëtare të menaxhimit të trafikut dhe emergjencave dhe për të ofruar informacion në kohë reale mbi trafikun për sa më shumë përdorues të rrjetit rrugor, si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe tek ne në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për krijimin e korridoreve pan-evropiane, Kuvendi në dhjetor të vitit të kaluar, miratoi ndryshimet në Ligjin për Rrugët Publike. Ato zbatojnë dispozitat e Direktivës 2010/40/BE, e cila parashikon rregulla për vendosjen e sistemeve inteligjente të transportit në transportin rrugor. Qëllimi i kësaj Direktive është të inkurajojë zhvillimin e teknologjive inovative të transportit për krijimin e sistemeve inteligjente të transportit (SIT). sa/

Foto: MIA arkivi. printskrin NPRRSH

QËNDRONI TË LIDHUR