• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gir: Strategjitë janë po aq të mira, sa është zbatimi i tyre

Gir: Strategjitë janë po aq të mira, sa është zbatimi i tyre

Shkup, 20 shtator 2023 (MIA) - Reforma e administratës publike ka një pozicion absolutisht qendror, si për zhvillimin e vendit, ashtu edhe për perspektivën e tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pretendon ambasadori evropian Dejvid Gir. Në fjalimin në promovimin e Strategjisë së re për reforma në administratën publike (2023-2030), Gir tha se "strategjitë janë po aq të mira, sa është zbatimi i tyre", duke vënë në dukje se në Kuvend "akoma pritet të miratohen ligje të ndryshme që lidhen me eshallonin më të lartë të administratës publike, ndërsa janë veçanërisht të rëndësishme për një shërbim publik konkurrues, profesional dhe cilësor".

Nga kapaciteti dhe profesionalizmi i administratës publike, sipas Gir, varet si përdorimi i fondeve nga Unioni. ashtu edhe zhvillimi i politikave dhe përgjigjet e duhura ndaj sfidave kryesore.

"Nuk po them që nëpunësit publik nuk punojnë fort, por sigurisht që ka probleme. Të gjithë i njohim shërbimet që nuk funksionojnë, por gjithashtu ka edhe shumë nëpunës publik që punojnë me përkushtim dhe që duan të shohin një sistem më të mirë. Problemi është sistemi, dhe kjo është ajo që besoj se do të tejkalohet me këtë strategji. Shpresoj që jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveritë në vijim, do ta shohin këtë si mbipartiak dhe se rezultatet janë ekskluzivisht në interes të qytetarëve dhe që shteti të ketë shërbimin publik ashtu siç e meriton", deklaroi Gir.

Si vendi përparon drejt Bashkimit Evropian, ashtu edhe hapen fondet dhe mjetet, për shfrytëzimin e të cilave, sipas Gir, administrata ka rol kyç, sepse shfrytëzimi i tyre varet nga kapaciteti i saj për planifikim, menaxhim dhe përgjegjshmëri.

"Mendoj se ne e dimë se situata aktuale është shumë larg nga kjo. Po, ka përparim, por ka ende sfida të mëdha në aspektin e kapaciteteve njerëzore transparencës dhe llogaridhënies. Shpesh partitë politike ndërhyjnë në emërimet, që do të thotë se faktori politik është më i rëndësishëm se meritat apo kompetencat. Dhe gjithashtu, shumë shpesh mjedisi i ndërlikuar rezulton në bashkëpunim joadekuat ndërqeveritar dhe ndërinstitucional. Këto janë, sigurisht sfida që nuk kufizohen vetëm në vendin tuaj. Ju nuk jeni të vetëm, këto janë sfida me të cilat përballen shumë vende të botës", tha Gir.

."Urime për të gjithë të përfshirët në përpunimin e Strategjisë. Strategjitë janë të shkëlqyera, por ato janë po aq të mira sa zbatimi i tyre. Prandaj, gjithçka do të varet nga zbatimi. Ne do të japim mbështetje dhe ndihmë, por një pjesë e konsiderueshme e punës do të duhet të bëhet, tha Gir, duke treguar se shembujt ku japin ndihmë ka shumë, por ende presin të shohin zbatimin e rekomandimeve dhe këshillave.

Këtu, sqaroi Gir, natyrisht e kam fjalën për mbështetjen për ligje të ndryshme, të cilat ende duhet të kalojnë në Kuvend, ndërsa që i referohen eshalonit të lartë të administratës publike dhe janë veçanërisht të rëndësishme për një shërbim publik konkurrues, profesional dhe cilësor".

"I bëj thirrje Kuvendit që ta kryejë punën. Tani në hollësi ta shqyrtojë legjislacionin, por të vazhdohet përpara sa më shpejtë që është e mundur, sepse këto janë ligje kyçe të cilat me të vërtetë do të ndihmojnë që të vendoset korniza, bashkë me Strategjinë, për përmirësimin në lëminë e administratës publike", deklaroi Giri. 

Administrata, theksoi Gir, ka gjithashtu një rol kyç në zhvillimin e përgjigjeve të duhura ndaj sfidave kryesore, sepse, siç tha ai, "asnjë vend nuk mund të funksionojë pa menduar për të ardhmen dhe pa planifikuar".

"Roli juaj në procesin e integrimit evropian do të jetë i një rëndësie kyçe dhe nuk do të mund të përmbushet pa një rritje adekuate të kapaciteteve dhe profesionalizimin e administratës publike. Prandaj, në kuadër të vetë procesit të anëtarësimit, forcimi i administratës publike është pjesë në grupin fundamente, të cilat hapen të parat dhe ndiqen deri në anëtarësim, por edhe më pas si vend anëtar", tha Gir.

Strategjia për reforma në administratën publike (2023 - 2030) u promovua në aktivitetin "Administrata bashkëkohore, efikase dhe e digjitalizuar publike: Vizioni 2030. Ofrimi i shërbimeve publike më cilësore për qytetarët dhe sektorin privat " organizuar nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në bashkëpunim me SIGMA-n. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR