• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gir: Shprehim shqetësim për zhvillimet aktuale në gjyqësor

Gir: Shprehim shqetësim për zhvillimet aktuale në gjyqësor

Shkup, 2 maj 2023 (MIA) - Për Bashkimin Evropian, siç thashë, sundimi i ligjit është themelor edhe nëse keni gjyqësi të kompromentuar,  kjo do të ndikojë në të ardhmen e përpjekjeve të demokracisë së konsoliduar  dhe për të ndërtuar një ekonomi të përparuar dhe të zhvilluar. Ne i ndjekim me seriozitet dhe nga afër ngjarjet në gjyqësor. Nuk do të hyj në detaje nga Këshillit Gjyqësor, nuk jam i njohur me diskutimet e tyre dhe nuk do të ishte e udhës të bëja një gjë të tillë - Këshilli Gjyqësor është një organ shumë i rëndësishëm, është përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve, prandaj është e rëndësishme se çfarë bën, çfarë vendimesh merr dhe si sillet, tha sonte ambasadori evropian në vend Dejvid Gir.

Në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, Gir duke qenë mysafir në TV Sitel, thotë se është shumë e rëndësishme mënyra në të cilën punon ai, dhe siç tha, në asnjë moment të mos bëhet objekt i ndërhyrjeve të jashtme politike ose interesave partiake, sepse nëse ndodh kjo, sipas tij, atëherë pavarësia e gjyqtarëve  do të jetë e kompromentuar, dhe përfundimisht  kjo do të ndikojë në ligj, në përgjithësi.

I pyetur për situatën me Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili hapi procedurë etike ndaj një prokurori që kritikoi publikisht punën e tyre dhe theksoi se ka presione politike në atë institucion, ai thotë se sfida është e njëjtë dhe se ata janë përgjegjës për promovimin dhe mbrojtjen e pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit të prokurorëve dhe ky, tha ai, është një rol jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Në lidhje me atë nëse vendi shkon në drejtimin e vërtetë në reformat e gjyqësorit, siç pret BE-ja, ai përsëriti se nga afër e ndjekin situatën në raportet e rregullta për vendin dhe japin vlerësim se si mendojnë se po zhvillohen gjërat.

"Ndër vite kemi parë progres pozitiv. Por, në muajt e fundit ne jemi të brengosur, kemi parë një numër të madh rastesh, pothuajse si një model shpalljeje, të cilat nuk janë në përputhje me atë që do të prisnim nga një vend negociator. Çfarë dua të them me një vend negociues? Korrikun e kaluar ju hapët negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe kjo do të thotë një marrëdhënie ndryshe me një nivel të lartë angazhimi. Dhe ne presim të shohim realizim në fushën e sundimit të ligjit në kuptimin pozitiv. Dhe çfarë dua të them konkretisht me shqetësim? Kjo mbulon një gamë të gjerë çështjesh që ishin gjithashtu në fokus të publikut. Nuk do t'i komentoj në mënyrë specifike, por do të përmend fushat shqetësuese - ne kemi parë në shumë raste që përfshijnë korrupsion të nivelit të lartë disa përsëritje sjelljesh - me rikthimin e rigjykimeve dhe dënimeve, të cilat ndikojnë në vjetërsimin e lëndëve. Ky është një shqetësim. Mund të ketë justifikime të forta për ato raste individuale, por praktika e përgjithshme e përsëritur është shqetësuese. Në të njëjtën kohë shohim ngjarje në Këshillin Gjyqësor, me Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe të gjitha hapin pyetje", theksoi Gir.

Për BE-në, shtoi euroambasadori, në këtë proces të inkuadrimit ne shohim në këto çështje me shumë kujdes, përmes mikroskopit, që nga dita e parë, deri në ditën e anëtarësimit në BE, prandaj të gjitha këto ngjarje janë monitoruar dhe për këtë arsye shprehim shqetësim për zhvillimet aktuale. sa/

FOTO: arkivi i MIA-s

  

 

QËNDRONI TË LIDHUR