• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gashi: Shkelja e flamurit të një bashkësie tjetër është në kundërshtim me interesat shtetërore

Gashi: Shkelja e flamurit të një bashkësie tjetër është në kundërshtim me interesat shtetërore

Shkup, 29 nëntor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi i dënoi veprimet lidhur me ngjarjet e djeshme kur, siç tha, u dogjën dhe shkelën flamujt shtetërorë dhe përmendi se kjo është në kundërshtim me interesat shtetërore dhe nacionale të çdo bashkësie etnike. Këtë e tha në përgjigje të pyetjes së gazetarëve pas vizitës në komunën e Gostivarit. Gashi nuk e dinte nëse dhe sa persona janë arrestuar pas paraqitjeve se në disa lokacione po griset, shkilet dhe digjet flamuri shtetëror.

Në deklaratë, ai vlerësoi se patriotë janë ata të cilët e respektojnë flamurin e vet, por edhe flamurin e të tjerëve, ndërkaq sipas tij, duhet të hetohet se kush qëndron prapa ngjarjeve të këtilla, por siç tha, nuk beson se prapa kësaj ka prapavijë politike.

"Nëse është sjellje e pandërgjegjshme e disa qytetarëve, ata duhet të mbajnë përgjegjësi dhe secili të përgjigjet për veprimet. Kursesi nuk është e lejuar të shkilet, ofendohet dhe keqpërdoret flamuri i huaj, simboli i huaj i një bashkësie tjetër, cila do qoftë ajo", tha kryetari i Kuvendit të RMV-së.

Gashi në koment u dërgoi edhe porosi qytetarëve t'i respektojnë simbolet e shtetit dhe ligjet, mes të cilave edhe përdorimin e flamurit shqiptar.

"Të gjithë të cilët dëshirojnë destabilizim në shtet, nuk ia duan të mirën kombit dhe popullit të vet, e më pas edhe shtetit. Dhe prandaj bëj thirrje për vetëdijësim", tha Gashi.

Sipas tij, nevojitet avancim i shtetit me anëtarësim në BE, ngritje të shkallës së tolerancës së ndërsjelltë dhe avancim i marrëdhënieve ndëretnike. Ai theksoi se duhet të punohet në drejtim të afrimit dhe ndërtimit të urave dhe avancimit të shtetit.

Në pyetjen nëse narrativa e politikanëve gjatë periudhës së kaluar ka ndikim për paraqitjen e ngjarjeve të këtilla, ai theksoi se këltë duhet ta thonë organet, kompetenca e të cilave është t'i ndriçojnë ngjarjet e fundit dhe t'i zbulojnë motivet.

Ndërkohë, në kumtesën nga Kabineti i Gashit theksuan se ai e dënon ashpër çdo akt tërbimi, pa dallim të shkakut apo bazës që përdoret për arsyetimin e tij.

"Dhuna dhe tërbimi asnjëherë nuk mund të jenë zgjidhje ose përgjigje. Ndërsa edhe më pak mund të përdoren si mjet për provokim me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit. Kryetari Gashi bën thirrje për përmbajtje, respekt dhe komunikim konstruktiv si rruga e vetme për tejkalimin e të gjitha sfidave. Vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë paqe dhe stabilitet për të gjithë qytetarët në shtetin tonë të përbashkët. Kryetari Gashi mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave demokratike dhe respektimin e simboleve shtetërore", ceket në kumtesë. ab/

foto: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR