Gashi për ndryshimin e Kushtetutës: Çështja duhet të zgjidhet sa më shpejt, por jo në llogari të cenimit të identitetit të maqedonasve
- Në pyetjen nëse ka marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës, kryetari i ri i Kuvendit Afrim Gashi është përgjigjur se kjo është një çështje e ndjeshme, veçanërisht për maqedonasit.
- Post By Fami Bajrami
- 00:05, 1 qershor, 2024
Shkup, 31 maj 2024 (MIA) - Në pyetjen nëse ka marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës, kryetari i ri i Kuvendit Afrim Gashi është përgjigjur se kjo është një çështje e ndjeshme, veçanërisht për maqedonasit.
Siç ka thënë në intervistën për emisionin “Top Tema” në TV Telma, maqedonasit kanë qenë më negativisht të orientuar kundrejt të ashtuquajturit propozim francez, ndërsa VMRO-DPMNE ka marrë një numër të madh votash mu shkaku se ka qenë e rezervuar ndaj kësaj çështje.
"Megjithatë, tani jemi në një fazë tjetër – të gjithë duam të ecim përpara. Numri më i madh i qytetarëve dhe partive politike, përveç njërës, të gjithë jemi të interesuar për integrimin e vendit në BE, dhe atë sa më shpejt, të paktën kështu prononcohen deklarativisht. Duhet të flasim për atë se çka ka vendosur VMRO-ja në program. Do të ketë edhe momente të reja pas zgjedhjeve në Bullgari dhe zgjedhjeve në Parlamentin Evropian. Duhet që në mozaik të jenë të gjitha elementet, sepse e plotë është kur është gjithçka, që mund ta zgjedhim këtë çështje", ka theksuar Gashi.
Ai theksoi se është i mendimit se çështja duhet të zgjidhet sa më shpejt, por shton “jo në llogari të cenimit apo mosruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor të maqedonasve”.
"Nuk mund të rrezikojmë marrëdhëniet ndëretnike për një problem tjetër, kështu nuk kemi bërë asgjë. Duhet të punojmë për një kohezion më të madh të të gjitha komuniteteve, veçanërisht dy të parave për nga madhësia - maqedonase dhe shqiptare. Nëse kemi mirëkuptim për identitetin tonë kulturor dhe gjuhësor, në vetvete kjo do të krijojë energji për procesin e integrimit më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian", tha Gashi.
Në pyetjen se përse ka dhënë betimin të martën në Kuvend së pari në shqip e më pas në maqedonisht, ai u përgjigj se ka qenë çështje teknike dhe “nuk do të donte të përfshihet në politikë ditore me gjëra kaq të vogla”, ndërsa përdorimi i gjuhës shqipe në Kuvend tha se është rregulluar në vitet 2008-2009.
"Ajo ditë ishte festë për demokracinë në Maqedoninë e Veriut, u konstituua Kuvendi. Kjo është politikë ditore dhe partitë e përdorin për ndonjë piar të lirë. Nuk do të doja të ulem në atë nivel dhe të komentoje të tilla gjëra. Nuk kam asnjë problem me gjuhën maqedonase, e mësoj dhe e flas njëkohësisht me shqipen që në vitet e para. Nuk kam animozitet ndaj maqedonishtes. Seanca konstituive është përgatitur nga shërbimet e Kuvendit të cilat janë profesionistë dhe ka qenë teknike, ka mundur të jetë fillimisht në gjuhën maqedonase, me rëndësi është të lexohet në gjuhën maqedonisht", ka shtuar Gashi.
Në pyetjen nëse ende angazhohet për “bashkësi të komunave shqiptare në Maqedoni”, ai u përgjigj se ky ka qenë qëndrim i sekretarit të përgjithshëm të partisë së tij Alternativa dhe se ideja ka qenë bashkëpunimi në segmente që prekin banorët e atyre komunave dhe tema asokohe tha ai, “është politizuar dhe i është dhënë kahe nacionaliste”.
"Nuk ka një konotacion të tillë me shenjë nacionaliste për federalizim siç tentohej të paraqitet. Asnjëherë nuk jemi deklaruar për federalizim, sepse ai model nuk është kompatibil për këtë vend, prandaj politikisht nuk e kam mbrojtur këtë temë", ka thënë Gashi.
Foto: printskrin/"Top tema"