Gashi - Hartelius: Maqedonia e Veriut edhe në të ardhmen do të mund të llogarisë në mbështetjen suedeze
- - Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlerësohet lartë mbështetja e fortë dhe e hapur e Suedisë për integrimin e vendit, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në takimin me sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Dag Hartelius.
- Post By Fitore Curri
- 18:56, 3 dhjetor, 2024
Shkup, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlerësohet lartë mbështetja e fortë dhe e hapur e Suedisë për integrimin e vendit, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi në takimin me sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Dag Hartelius.
Në takimin, në të cilin morën pjesë edhe deputetët Dafina Stojanoska, Bekim Sali dhe Mitko Trajçuleski, Gashi theksoi se qëllimet strategjike të politikës së jashtme të shtetit që nga pavarësia e saj janë anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe se pas anëtarësimit në NATO në vitin 2020, prioritet kryesor shtetëror është anëtarësimi në BE.
Dy bashkëbiseduesit, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, ranë dakord se ndryshimet gjeopolitike në kontinentin evropian si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës vetëm konfirmojnë se politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian është mjeti më i mirë për stabilitet, solidaritet dhe qëndrueshmëri.
Sekretari shtetëror Hartelius, duke vlerësuar se takimet e drejtpërdrejta dhe shkëmbimi i mendimeve për interesa të rëndësishme shtetërore janë të pazëvendësueshme, siguroi se Republika e Maqedonisë së Veriut edhe në të ardhmen do të mund të llogarisë në mbështetjen suedeze.
Në kuadër të vizitës zyrtare, delegacioni e vizitoi edhe Entin Kombëtar të Revizionit të Zyrës Kombëtare Suedeze të Revizionit dhe realizoi takim me zëvendësrevizoren supreme, Klaudia Gardberg Morner.
Në takim, kryetari i Kuvendit dhe deputetët u njoftuan për aktivitetet e Zyrës, mandatin e tyre, strukturën organizative dhe raportet vjetore të përgatitura nga Zyra dhe të dorëzuara në Kuvend.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar që ka kjo Zyrë me Entin Shtetëror të Revizionit në kuadër të disa programeve, si dhe mënyrat e rritjes së vizibilitetit të aktiviteteve dhe rëndësinë e institucioneve të pavarura të revizionit në të dy vendet. fc/
Fotografia: Kuvendi i RMV-së