• e martë, 17 mars 2026

Gashi – Gërliq Radman: Mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për eurointegrimet

Gashi – Gërliq Radman: Mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për eurointegrimet

Shkup, 27 shkurt 2026 (MIA) - Kroacia mbetet mbështetëse e fortë e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, u potencua në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi dhe ministrit kroat të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërliq Radman, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në vend. 

Duke i uruar mirëseardhje të përzemërt në shtëpinë ligjvënëse përfaqësuesit të lartë të një shteti mik dhe të afërt, Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Republika e Kroacisë i jep perspektivës evropiane të shtetit, si dhe për bashkëpunimin e përgjithshëm dypalësh që zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, solidaritetit dhe partneritetit. Ai theksoi se vlerësohet veçanërisht gatishmëria e Kroacisë për të dhënë ekspertizën dhe përvojën e saj të çmuar nga procesi i anëtarësimit dhe zhvillimi i negociatave për anëtarësim.

Në takim, siç kumtoi shërbimi për shtyp qeveritar, u theksua edhe rëndësia e aleancës dhe bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, ku të dy shtetet janë të përkushtuara fuqishëm për promovimin dhe shkëmbimin e vlerave, parimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta të Aleancës.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se politika e zgjerimit të Bashkimi Evropian paraqet investim strategjik në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, si dhe të të gjithë kontinentit evropian, kurse u përshëndet gjithashtu harmonizimi i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, me ç’rast Republika e Maqedonisë së Veriut ka dëshmuar se është një partner kredibil.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit theksuan se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kroacisë kanë kultivuar gjithmonë marrëdhënie miqësore, të bazuara në respekt të lartë për të drejtat njerëzore, kombëtare dhe kulturore të pakicave që studiojnë, punojnë ose jetojnë në të dy shtetet, duke përfaqësuar një shembull pozitiv në rajon dhe më gjerë.

Në fund, Gashi shprehu bindjen se vizita e ministrit Grliq Radman do të kontribuojë në përforcimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe se Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e fuqishme kroate për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska. rq/

Foto: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR