Gashi: Është kyçe të kemi kod të qartë dhe të fuqishëm etik i cili do të sigurojë kulturë të lartë të debatit
- – Kodi për sjellje etike të deputetëve duhet të jetë forcë etike i cili i udhëheq dhe i drejton të gjitha institucionet tjera, sepse ne jemi ata të cilët i përfaqësojmë qytetarët. Angazhimi ynë i reflekton interesat e tyre, ndërsa sjellja jonë është shembulli i cili i përfaqëson ata. Miratimi i kodit etik është edhe angazhimi im personal me qëllim të ngritjes së kulturës politike dhe përmirësim gjithëpërfshirës të bashkëpunimit ndër-institucional.
- Post By Fitore Curri
- 15:37, 12 mars, 2025

Shkup, 12 mars 2025 (MIA) – Kodi për sjellje etike të deputetëve duhet të jetë forcë etike i cili i udhëheq dhe i drejton të gjitha institucionet tjera, sepse ne jemi ata të cilët i përfaqësojmë qytetarët. Angazhimi ynë i reflekton interesat e tyre, ndërsa sjellja jonë është shembulli i cili i përfaqëson ata. Miratimi i kodit etik është edhe angazhimi im personal me qëllim të ngritjes së kulturës politike dhe përmirësim gjithëpërfshirës të bashkëpunimit ndër-institucional.
Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalimin e tij me të cilin e hapi Punëtorinë e Komisionit për Çështje të Rregullores dhe Mandatit – Imunitetit e cila mbahet në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup dhe ODIHR dhe NDI ndërsa me të cilën ishte shënuar fillimi i procesit për miratimin e një kodi të ri etik për deputetët. Ai foli për praktikën e deritanishme të sjelljes në Kuvend, e cila tha për fat të keq nuk i ngjan një tempulli të demokracisë.
“Për fat të keq, ky Kuvend , i cili duhej të ishte tempull i demokracisë nga e kaluara e deri më sot, shpesh ka vepruar dhe vepron në kundërshtim me këtë ideal. Ajo që ky institucion ka parë, dëgjuar dhe përjetuar nuk ishte vetëm një përplasje mendimesh, argumentesh apo një debat i thjeshtë. Në vend të kësaj, ajo u bë një skenë e turpshme dhune, fyerjesh, kërcënimesh dhe formash të ndryshme ngacmimesh, herë shoviniste, herë raciste e herë seksiste. Zëvendësimi i etikës dhe dinjitetit me urrejtje dhe agresion nuk i shërbeu Kuvendit, e lëre më qytetarëve. Këto përplasje jo vetëm që kanë dëmtuar besimin tek institucioni, por kanë krijuar edhe një ambient fort të polarizuar, tha kryetari i Kuvendit.
Ai nënvizoi se madje edhe në nivelin e sotëm nuk len shumë hapësirë për kënaqësi, sepse, thotë si kryetar i Kuvendit shpesh përballet me cilësi të ulët të debatit, ofendimeve mes kolegëve dhe shkelje të ndryshme të rregullave për sjellje dinjitoze.
“Prandaj, që nga dita e parë e mandatit tim, vazhdimisht kam bërë thirrje për respektimin e kodit etik dhe për të shprehur në mënyrë dinjitoze pikëpamjet tona politike, duke mbrojtur integritetin e Kuvendit dhe të qytetarëve që përfaqësojmë. Ne nuk kemi imunitet për të shkatërruar konstruktivitetin, bashkëjetesën dhe demokracinë, por për t'i zhvilluar ato. Çdo veprim dhe fjalë jonë ka pasoja për imazhin dhe besimin e këtij institucioni. Prandaj, është thelbësore që të kemi një kod të qartë dhe të fortë etik që do të udhëheqë veprimet tona dhe do të sigurojë një kulturë të lartë të debatit”, thotë Gashi.
Sipas tij, nëse duam të ndërtojmë shoqëri të drejtë dhe të barabartë duhet të fillojmë pikërisht nga ky Kuvend dhe ne të jemi shembull për vlerat të cilat duam t’i promovojmë, ndërsa ato janë dialog, e jo ndarje. Qëllimi drejt të cilit duhet të angazhohemi është Kuvend profesional, deputetë dinjitozë dhe zgjidhje efikase, porositi Gashi dhe u bëri thirrje politikanëve dhe deputetëve që ta respektojnë kodin etik dhe të sillen në mënyrë dinjitoze me respekt të ndërsjellë dhe të punojnë në avancimin e kulturës politike.
Përfaqësuesi i OSBE-së – Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njerëzve (ODIHR) Konstantin Varxhevashvilli në fjalimin në punëtorinë për integritet parlamentar dhe kod të sjelljes theksoi se mbeten të përkushtuar që t’i ndihmojë Grupit të punës në detyrën e tij për përgatitje të kodit të ri etik në Kuvendin i cili luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e standardeve etike.
“Draft -kodi dhe draft-udhëzimet reflektojnë nevojën për të krijuar besim me bashkëqytetarët si dhe besimin mes deputetëve. Gjithsesi, kodi thekson integritetin dhe duhet të parandalojë konfliktet e interesit dhe të promovojë besimin. Nëpërmjet këtyre vlerave kyçe promovojmë qeverisjen gjithëpërfshirëse në një demokraci në rritje”, tha përfaqësuesi i ODIHR-it, duke vlerësuar se prania e Gashit në këtë seminar është konfirmim i vullnetit të fortë politik që këto standarde të bëhen realitet dhe se do të miratohet një kod efektiv i sjelljes që jo vetëm do të jetë në letër, por edhe do të zbatohet në praktikë.
Robert Skot Heslet drejtor i lartë rezident nga NDI, tha se tashmë është përgatitur draft kod i sjelljes nga grupi i punës nga përbërja e kaluar parlamentare dhe do të donin të merret parasysh nga grupi i ri i punës nga ky mandat. Çështjet që janë ngritur nga GREKO (Grupi i shteteve kundër korrupsionit) dhe që pritet të trajtohen nga kodi që do të miratohet, ndër të tjera kanë të bëjnë me dhuratat, transparencën financiare, si dhe zbatimin praktik të tij. Draft dokumentet përmbajnë gjithashtu një dokument integriteti.
“Në vitin 2021 ODIHR ka dhënë një opinion pozitiv për këto dokumente. Në vitin 2023, GREKO përshëndeti progresin në racionalizimin e kodit dhe krijimin e këtij programi pune dhe në vitin 2024, TAIEH vuri në dukje se draft dokumentet janë të jashtëzakonshme dhe mund të shërbejnë si model për të gjithë botën”, tha ndër të tjera Skot Haslet, i cili tha se grupet parlamentare në mbledhjen e javës së kaluar e mbështetën këtë nismë dhe bënë rekomandimet e tyre.
Grupi i ri i punës për Kodin e sjelljes së deputetëve ishte formuar sot më parë në mbledhjen e Komisionit kuvendor për çështje mandati – imuniteti.
Në Kuvend tashmë është miratuar dhe zbatohet kodi i ri i sjelljes së shërbimit të kuvendit. fc/
Fotografia: MIA