• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gara rajonale për sportistët me aftësi të kufizuara intelektuale, për gjithëpërfshirje, barazi dhe mirëbesim

Gara rajonale për sportistët me aftësi të kufizuara intelektuale, për gjithëpërfshirje, barazi dhe mirëbesim

Shkup, 5 prill 2024 (MIA) - Forcimi i dialogut ndërkulturor, përfshirjes dhe barazisë gjinore janë përfitimet kryesore të Garës rajonale të notit për sportistë me aftësi të kufizuara intelektuale e cila nga sot deri më 7 prill mbahet në pishinën në QS "Boris Trajkovski" në Shkup.

Euroambasadori Dejvid Gir tha se kjo garë rajonale bashkon notuesit me aftësi të kufizuara intelektuale për të shfaqur aftësitë e tyre dhe për të festuar diversitetin.

"Ngjarjet si kjo riafirmojnë angazhimin tonë të përbashkët për të thyer barrierat dhe për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse ku çdo individ vlerësohet dhe ku të gjitha talentët shfrytëzohen plotësisht. Mbi të gjitha, është një rast argëtues si për pjesëmarrësit ashtu edhe për mbështetësit", tha Gir në konferencën të organizuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Olimpiadën speciale dhe me mbështetjen e delegacionit të Bashkimit Evropian dhe koordinatorit të përhershëm të KB-së në këtë vend.

Një nga avantazhet e manifestimit, siç shtoi ai, është se do të përfshijë jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe vende të tjera.

Për Rosana Duxhak, koordinatore e përhershme e KB-së në Maqedoninë e Veriut, bota e sportit është shumë më tepër se rezultatet e arritura.

"Kjo është platforma më e mirë funksionale për të bashkuar njerëz të etnive, kombeve, kulturave, feve dhe mundësive të ndryshme", tha Duxhak. 

Sipas saj, sporti është një mekanizëm jetik për thyerjen e barrierave ekzistuese mes grupeve të ndryshme, pavarësisht nga arsyeja e dallimit mes tyre.

Xhon Kenedi Mosoti, drejtor i UNFPA-së për Maqedoninë e Veriut, theksoi qëllimin e nismës për të përforcuar zërat dhe aspiratat e të rinjve nga Ballkani Perëndimor.

"Qëllimi ynë është të ofrojmë platformë angazhimi, të bashkojmë të rinjtë me prejardhje të ndryshme, të inkurajojmë komunikimin dhe shkëmbimin përmes sportit, kulturës, projektet e edukimit qytetar dhe komunitetit”, tha Kenedi Mosoti duke theksuar narrativët pozitiv të arritjes së kohezionit.

Mateo Seki, menaxher sportiv i Olimpiadës speciale të Evropës Eurasia, shprehu mirënjohje për mbështetjen e marrë dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me UNFPA dhe mbështetjen e delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe koordinatorit të përhershëm të KB-së në Maqedoninë e Veriut në promovimin e barazisë së personave me aftësi të kufizuara intelektuale.

“Pas suksesit të turneut të basketbollit special Olimpiada e Ballkanit Perëndimorë i cili u organizua nga Olimpiada speciale Shqipëri, vitin e kaluar, kjo garë noti është një tjetër hap i përbashkët drejt sjelljes së mundësive sportive cilësore dhe përfshirjes në këtë rajon", tha ai.

Mario Mickovski, sportist, tha se i pëlqen shumë noti.

"Ne jemi ekip, unë Stefan, Matej, Juli dhe Kate dhe përfaqësojmë të gjithë Maqedoninë, vazhdojmë tutje. Sporti është i mrekullueshëm për mua, ju lumtë për të gjitha ekipet, veçanërisht Igorin, që është trajneri ynë, ekipi ynë po ecën përpara, Maqedonia po ecën përpara", tha ai.

Kryetarja e Lojërave Olimpike Speciale në Maqedoninë e Veriut, Monika Boshkova, falënderoi për mundësinë e dhënë për të organizuar një ngjarje rajonale që për herë të parë organizohet si olimpiadë speciale dhe theksoi se janë të gatshëm. 

"Nuk kemi përvojë, por jemi gati, e dimë potencialin tonë dhe skuadrat që na kanë ardhur. Në olimpiadat e mëdha botërore, ne bëjmë shumë miq", tha ajo.

Garat do të zhvillohen gjatë fundjavës, konkretisht më 6 prill në orët e para të mëngjesit, janë caktuar garat kualifikuese dhe më 7 prill në mesditë janë garat finale, ceremonia e ndarjes së çmimeve, pas së cilës aktiviteti do të përrmbyllet. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR