• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ganiu: Një anëtar na takon me ligj si opozitë, KSHZ-ja duhet ta zgjidhë këtë sa më shpejt

Ganiu: Një anëtar na takon me ligj si opozitë, KSHZ-ja duhet ta zgjidhë këtë sa më shpejt

Shkup, 27 nëntor 2023 (MIA) - Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, lidhur me zgjedhjen e një anëtari nga opozita shqiptare në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), tha se aktualisht ai anëtar është nga Aleanca, dhe Aleanca është pjesë e Qeverisë dhe se një anëtar duhet të jetë nga opozita, që sipas tij do të thotë se me ligj u takon dhe KSHZ-ja duhet ta zgjidhë sa më shpejt.

Ganiu në një deklaratë për media gjatë aktivitetit të sotëm të liderëve të opozitës shqiptare para monumentit të Gjerg Kastriot Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, ka komentuar edhe deklaratën e kreut të Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, se partia e tij do të tërhiqet nga Qeveria nëse nuk zbatohen ndryshimet kushtetuese dhe tha se janë të hapur për çdo bashkëpunim të ri.

"Ne si opozitë shqiptare kemi vend për të gjithë ata që e mbështesin idenë tonë, dyert janë të hapura për çdo qytetar, për çdo parti, për çdo asociacion dhe shoqatë ka vend në bllokun tonë", tha ai.

Sa i përket pyetjes se a është në opsion ndonjë koalicion me partinë maqedonase apo konkretisht me VMRO-DPMNE-në, pasi që tashmë kanë vendosur kushte të cilat partia që dëshiron të koalicojë me ta duhet t'i pranojë, Ganiu është përgjigjur negativisht duke thënë se qëllimi i tyre fillestar është konsolidimi i opozitës shqiptare.

"Blloku opozitar te shqiptarët është shumë i fortë dhe për herë të parë në historinë e pluralizmit kemi një unitet të madh. Ne do të shkojmë vetëm në zgjedhje, fillimisht duam t'i fitojmë zgjedhjet në bllokun shqiptar, pastaj të vendosim për gjithçka", tha Ganiu.

Ndërsa në lidhje me pyetjen se VMRO-DPMNE dëshiron të ketë ministri të reja apo bashkim ministrish dhe nëse ky opsion është i pranueshëm për opozitën shqiptare, ai përsëriti se së pari është e rëndësishme të fitohen zgjedhjet, pastaj të fillojnë negociatat dhe se në ato negociata, siç tha ai, do të plasohen idetë dhe kërkesat e tyre.

Ai negativisht u përgjigj edhe në pyetjen për koalicion eventual me BDI-në në qeverinë e re.

"Jo, ne kemi qenë pjesë e BDI-së, por për shkak të asaj që mendojmë se përpjekjet për të cilat BDI-ja fitoi zgjedhjet nuk përputhen në realitet dhe në këtë mandat, i cili ka plus edhe vlera të shtuara negative që ka marrë BDI-ja në këtë mandat, ju e dini çdo ditë janë të lidhur me skandale të ndryshme, nuk shohim arsye për të qenë me ta në koalicion apo për të qeverisur bashkë në vend", theksoi Ganiu.

Në pyetjen për pikën kufitare me Serbinë, në Kumanovë, në një tubim, lidhur me pohimet e zëvendëskryeministrit Artan Grubi i cili kohë më parë deklaroi se rruga atje është ndërtuar, gjithçka është bërë dhe se edhe interneti është lëshuar, Ganiu tha se anëtarët e tyre ishin atje dhe me video prezantim kanë treguar se, atje përveç drunjëve dhe degëve nuk ka as rrugë, as internet, as diçka të ngjashme që i ngjan një vendkalimi kufitar.

"Pra asnjë punë nuk ka mbaruar dhe ka bërë të ditur se çdo gjë ka përfunduar nga ana jonë, gjithçka mbetet të përfundojë nga fqinji ynë Serbia. Është interesant që thotë se nuk kanë komunikim dhe nuk mund të vendosin që ta shtyjnë më tej këtë projekt, ndërsa nga ana tjetër zoti Grubi kur ishte fjala për "Ballkanin e Hapur" kishte bashkëpunim të shkëlqyer me zotin Vuçiq, pra së bashku me zotin Ahmeti dhe të gjithë kanë ecur nëpër rrugët e Maqedonisë, nëpër objektet tona të çmuara dhe kanë shpjeguar se sa të vlefshme janë ato, por për këtë punë që është e nevojshme për qytetarët dhe ata kanë nevojë të madhe për të, atëherë nuk kanë komunikim. Kur u pëlqen e kanë, kur nuk u pëlqen nuk kanë komunikim", theksoi ai.

Ganiu tha gjithashtu se ende nuk kanë kandidat për president, por tregoi se janë në konsultim me të gjithë partnerët dhe se së shpejti do të kenë një kandidat. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR