• e enjte, 26 dhjetor 2024

Gërkovska: Politikat e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike duhet të bazohen në prova dhe tregues të efikasitetit dhe progresit

Gërkovska: Politikat e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike duhet të bazohen në prova dhe tregues të efikasitetit dhe progresit

Shkup, 29 nëntor 2023 (MIA) - Në kuadër të aktiviteteve të sotme në Konferencën Globale për Ngritjen e Kapaciteteve Kibernetike, e cila po mbahet në Akra të Ganës, zëvendëskryeministrja Gërkovska mori pjesë në një panel diskutimi kushtuar planifikimit dhe vlerësimit në ndërtimin e kapaciteteve kibernetike, organizuar nga Qendra për Kapacitete Globale për Siguri Kibernetike, në suaza të Universitetit Oksford.

Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, duke prezantuar Konceptin Kombëtar për Transformim Digjital, Gërkovska theksoi se qëllimi i tij është transformimi i Maqedonisë së Veriut në një shoqëri të avancuar teknologjikisht dhe gjithëpërfshirës. Në përgatitjen dhe zbatimin e politikave që rrjedhin nga koncepti, planifikimi i bazuar në evidencë, por edhe matja e efikasitetit dhe progresit, është kyç.

"Në thelb, disa aspekte janë kyçe, përkatësisht krijimi i politikave të bazuara në të dhëna dhe prova, vendosja e standardeve në hapësirën kibernetike që janë kyçe për sigurinë kibernetike, mësimi nga gabimet në nivel global, si dhe komunikimi adekuat i çështjeve të digjitalizimit, sigurisë kibernetike dhe qëndrueshmërisë kibernetike, për të ndërtuar besimin e qytetarëve në sistem", theksoi zëvendëskryeministrja Gërkovska.

Siguria kibernetike, shtoi ajo, është themeli mbi të cilin ne ndërtojmë besimin në sistemet tona digjitale dhe mbrojmë mirëqenien e qytetarëve tanë, si dhe privatësinë e tyre.

"Siguria kibernetike është rojtari i heshtur i sistemeve tona, i të dhënave dhe i privatësisë sonë", theksoi Gërkovska dhe shtoi se sigurinë kibernetike duhet ta shohim si investim, jo ​​si shpenzim.

Në përfundim të panelit, zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se është e rëndësishme të komunikohet mirë ngritja e kapaciteteve kibernetike në një shoqëri dhe të ndërtohet një narrativë që frymëzon veprimin dhe siguron një peisazh digjital të sigurt dhe elastik për gjeneratat e ardhshme, thuhet në kumtesë. sa/

Foto: Qeveria e RMV-së

QËNDRONI TË LIDHUR