• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Gërkovska: Korrupsioni është problem global, nevojitet zgjidhje e përbashkët për çrrënjosjen e saj

Gërkovska: Korrupsioni është problem global, nevojitet zgjidhje e përbashkët për çrrënjosjen e saj

Shkup, 12 dhjetor 2023 (MIA) - Korrupsioni nuk është vetëm një problem i vendeve të caktuara, por një problem global që kërcënon stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik, humb besimin tek institucionet, ul cilësinë e shërbimeve publike, shkel të drejtat e njeriut dhe nxit krimin e organizuar, terrorizmin dhe rrjedhat e paligjshme financiare, theksoi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska në fjalimin e saj në Konferencën e vendeve nënshkruese (CoSP), organi kryesor politikbërës i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit (UNCAC) që po mbahet në Atlanta, SHBA.

Gërkovska, siç ka kumtuar Pres shërbimi qeveritar, theksoi se në ballafaqimin me këtë kërcënim global, duhet të punojmë së bashku për çrrënjosjen e korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes transparente, të përgjegjshme dhe pjesëmarrëse në vendet individuale dhe në mbarë botën, sepse problemet e gjëra kërkojnë zgjidhje gjithëpërfshirëse, ndërsa problemet globale- zgjidhje globale.

Zëvendëskryeministrja tha se sipas sondazheve të opinionit publik në Maqedoninë e Veriut, korrupsioni përmendet si problemi më i madh social dhe shtoi se ky perceptim i qytetarëve është kryesisht për shkak të faktit se në vitet e kaluara vendi ka arritur të dalë nga gjendja dhjetëvjeçare e të qenit një shtet i mbyllur dhe bëri një hap të madh përpara duke hapur institucionet dhe duke përmirësuar situatën me liritë e medias, gjë që kontribuoi drejtpërdrejt në rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për këtë problem.

"Me këtë rast duhet të theksoj se jam krenare që Maqedonia e Veriut, sipas raportit të fundit, është i vetmi vend nënshkrues që është plotësisht në përputhje me përkushtimin për transparencë të UNCAC", theksoi Gërkovska.

Në këtë kontekst, ajo theksoi se Qeveria është duke ndërmarrë hapa në zbatimin e politikave për qeverisje të mirë, ndërsa korniza ligjore dhe institucionale në pjesën më të madhe është në përputhje me legjislacionin e BE-së.

"Për fat të keq, progresi demokratik që kemi arritur vitet e fundit nuk ka nënkuptuar një ndryshim të menjëhershëm në të gjitha institucionet kompetente, në aspektin e shkathtësisë, efikasitetit, përkushtimit dhe vullnetit të integritetit të tyre për të kryer vazhdimisht pjesën e tyre të misionit të ndërtimit të një shoqërie më të mirë për të gjithë", theksoi zëvendëskryeministrja.

Për shkak të dobësive të perceptuara në segmentet kyçe të sistemit, siç theksoi Gërkovska është krijuar një koordinim intensiv i të gjitha institucioneve që kanë kompetenca në luftën kundër korrupsionit, për dy arsye - të krijojë një formë presioni të ndërsjellë konstruktiv për çdo institucion për të përmbushur më shpejt dhe më efektivisht pjesën e saj të detyrimeve dhe me qëllim të ndërtimit të një qasjeje të fuqishme ndërsektoriale në luftën kundër korrupsionit si një parakusht kyç për sukses. rq/

Foto: Qeveria

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR