• e enjte, 26 dhjetor 2024

Fushata kombëtare me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit

Fushata kombëtare me rastin e Ditës Botërore të Hepatitit

Ohër, 27 korrik 2023 (MIA) - Në disa qytete të vendit do të zhvillohen aktivitete dhe ngjarje për të shënuar 28 korrikun – Ditën Botërore të Hepatitit.

Në kuadër të fushatës së përbashkët të realizuar nga Ministria e Shëndetësisë, qendra "Hepar" nga Manastiri, shoqata për sëmundje të rralla "Retko e da si redok" nga Ohri, klinikat universitare për gastroenterohepatologji, për sëmundje infektive, kirurgji digjestive, onkologji, për radiologjinë intervenuese do të prezantohen arritjet dhe aktivitetet më domethënëse në luftën kundër hepatitit, kancerit të mëlçisë dhe sëmundjeve të tjera të mëlçisë në vend. Gjithashtu do të publikohen rezultatet e hulumtimeve më të fundit dhe përparimet në trajtimin e hepatitit B dhe C, si dhe kancerit të mëlçisë.

"Me krenari ju njoftojmë se po hapim qendrën e parë të mëlçisë në vendin tonë. Qendra është e pajisur me diagnostifikim dhe terapi moderne, e cila do të na lejojë të rrisim shanset për shërim dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së pacientëve", thuhet në njoftimin e organizatorëve të fushatës.

Është siguruar një autoambulancë e pajisur me analizat më të fundit për testimin e hepatitit B, C dhe HIV-it, si dhe elastograf më modern, i cili do të kryejë kontrollin falas dhe anonim të qytetarëve për mëlçinë. 

Njësia mobile e Qendrës Emergjente do t'u prezantohet qytetarëve të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Strugës, Ohrit, Manastirit, Strumicës dhe Shtipit, me qëllim të arritjes së sa më shumë personave dhe njohjes së sëmundjes në një fazë të hershme, që ka rëndësi thelbësore për trajtimin e suksesshëm.

"Lufta jonë kundër hepatitit nuk kufizohet në këtë ditë, por zgjat gjithë vitin. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të rrisim ndërgjegjësimin e njerëzve për sëmundjet e mëlçisë dhe mënyrat për t'i parandaluar dhe trajtuar ato. Ministria e Shëndetësisë, Qendra Hepar Manastir, klinikat dhe institucionet tjera shëndetësore po punojnë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe shërbimeve për të gjithë qytetarët", thuhet në njoftim. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR