• e diel, 30 qershor 2024

Furnizimi i helikopterëve nga kompania “Leonardo” do të kushtojë 249.9 milionë euro, thotë Petrovska

Furnizimi i helikopterëve nga kompania “Leonardo” do të kushtojë 249.9 milionë euro, thotë Petrovska

Shkup, 29 mars 2024 (MIA) - Furnizimi i tetë helikopterëve të rinj nga kompania "Leonardo" do të arrijë 249,9 milionë euro dhe pritet që të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit 2026, informoi sot ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Petrovska në konferencën e sotme për media pas vizitës në qendrën për trajnimin e pilotëve në kazermën në Petrovec duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, theksoi se çmimi përfshinë helikopterët, ndërtimin e hangarit si dhe trajnimin adekuat për pilotët.

"Shuma totale e furnizimit është 249.9 milionë euro dhe kjo përfshinë tetë helikopterë, dy llojet që kemi prezantuar tashmë. Ndër pikat e tjera të dakorduara janë edhe ndërtimi i një hangari i cili do të jetë përgjegjësi e kompanisë 'Leonardo' e cila do të duhet të ndërtojë hapësira adekuate ku do të mbahen të tetë helikopterët në hapësira të veçanta, pra për trajnim dhe stërvitje në qendrën e tyre, akademinë e tyre për trajnim të pilotëve. Afati i dorëzimit është i definuar, në kontratë shkruhet se do të jetë gjysma e dytë e vitit 2026, ndaj nga bisedat që kam pasur gjatë nënshkrimit të kontratës dhe nga biseda me ministrin kam marrë premtimin se afati i dorëzimit do të respektohet. Sepse sipas afatit të dorëzimit varen disa procese të ndërlidhura", deklaroi ministrja.

Lidhur me çmimin fillestar të paraparë për furnizim, Petrovska theksoi se gjatë viteve të kaluara, si në segmentet tjera, çmimet në industrinë ushtarake kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

"Duhet pasur parasysh se çmimi fillestar i parashikuar për këtë furnizim është i disa viteve më parë, vitet e kaluara në përgjithësi në industrinë ushtarake si në të gjitha segmentet e tjera rriten vazhdimisht, ndaj mendoj se ajo që ekipi arriti të negociojë me kompaninë për t'i siguruar të gjitha ato pajisje shtesë të nevojshme për funksionim të qetë dhe kryerjen e të gjitha detyrave, misioneve dhe operacioneve në fund u arrit çmimi që është paralajmëruar", ka thënë Petrovska.

Ajo shtoi se disa nga helikopterët do të jenë të armatosur, por edhe pjesa tjetër do ta ketë mundësinë të armatosen nëse e kërkon nevoja.

Ajo tha se dy helikopterët që u dërguan për riparim në Republikën e Çekisë do të kthehen ditëve në vijim, sepse tashmë ka përfunduar riparimi dhe janë duke u bërë kontrollet përfundimtare.

"Pjesa tjetër që nuk është dërguar, do të ketë furnizim të pjesëve nga e njëjta kompani dhe teknikët tanë, mekanikët do t'i riparojnë dhe vënë në funksion. Ideja është që këta helikopterë të jenë në funksion derisa të mbërrijnë ato të reja dhe më pas sipas planit të modernizimit, çdo pajisje që do të zëvendësohet i takon listës së pajisjeve që mund të tjetërsohen, nëse a do të jetë me shitje apo donacion do të vendosim më tej", nënvizon Petrovska.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR