• e shtunë, 23 nëntor 2024

Fshihet grafa "kombësi" nga certifikata e lindjes, e kurorëzimit dhe e vdekjes

Fshihet grafa

Shkup, 28 shkurt 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi pjesën "kombësi" në tri nene nga libri amë i të lindurve, kurorëzuarve dhe të vdekurve. Gjykata vlerësoi se kërkesa e kësaj të dhëne nga qytetarët gjatë regjistrimit në librat amë është në kundërshtim me vlerën themelore të shprehjes së lirë të përkatësisë kombëtare të paraparë me Kushtetutë.

"Ky nen i Kushtetutës përfshin jo vetëm të drejtën e individit që lirshëm të vendosë të deklarohet për kombësinë e tij, por edhe të drejtën që të mos deklarohet për këtë çështje përfshirë edhe që ta ndryshojë kombësinë e deklaruar, që nuk ishte e mundur me dispozitat të cilat sot janë shfuqizuar", deklaroi Hristina Belovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese, në deklaratë për mediat pas seancës së sotme.

Shtoi se Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin duke u nisur nga fakti se bëhet fjalë për ndjenjë private dhe të brendshme të njeriut dhe askush nuk mund të jetë i detyruar që atë të drejtë ta manifestojë në publik dhe aq më shumë të jetë mjet i administrimit të detyrueshëm institucional në dokumente publike, duke pasur parasysh se Kushtetuta përmes nenit 18 e garanton fshehtësinë dhe sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.

"Gjithashtu, përmes nenit 25 të Kushtetutës çdo qytetari i garantohet respektimi dhe mbrojtja e privatësisë, jeta e tij familjare dhe personale, i dinjitetit dhe imazhit", tha ajo.

Duke pasur parasysh vendimin e sotëm, theksoi Belovska, më nuk ekziston bazë juridike që në librat amë për të lindurit, të kurorëzuarit dhe të vdekurit të kërkohet e dhënë për kombësinë. 

Ajo potencoi se nuk bëhet fjalë për lëndën e njëjtë me të cilën ishte anuluar Udhëzimi për udhëheqje të librave amë.

"Nuk bëhet fjalë për një lëndë, ajo ishte lëndë e veçantë, Gjykata Kushtetuese tashmë vendosi edhe e shfuqizoi. Kjo është lëndë e veçantë e cila është parashtruar me nismë të partisë politike E Majta. U shqyrtua ligji i cili ishte miratuar në vitin 1995, gjegjësisht ato tre qëndrime nga Ligji për Evidencë Amë", tha ajo. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR