• e martë, 24 dhjetor 2024

Fronti Evropian miraton Deklaratë politike për legjitimitetin etnik që buron nga zgjedhjet

Fronti Evropian miraton Deklaratë politike për legjitimitetin etnik që buron nga zgjedhjet

Tetovë, 2 qershor 2024 (MIA)- Koalicioni "Fronti evropian" sot në Tetovë miratoi Deklaratë mbi legjitimitetin etnik zgjedhor ku u tha se do të dërgohet deri te të gjitha institucionet lokale dhe ndërkombëtare.

Deklarata është nënshkruar nga të gjitha partitë që përbëjnë "Frontin evropian", Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Shqiptare, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike e Turqve, Partia politike Unioni i romëve- URA dhe Lidhja demokratike e boshnjakëve. 

Pas fjalimeve të të gjithë liderëve të partive, Deklaratën e lexoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti me çka është miratuar njëzëri.

Në shpjegimin e Deklaratës thuhet se zhvillimet dhe hapat pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024 e vënë në pikëpyetje frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe për pasojë, janë rikthim në politikën e njohur “përçaj e sundo”.   

"Ritheksojmë kursin tonë euroatlantik si alternativë e vetme për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë për zbatim 0të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët si parakusht për të vijuar rrugën evropiane,   Konstatojmë patjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përsërisim që partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vendin tonë që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje. Prandaj, demokracia në vendin tonë mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera", theksohet në Deklaratë.

Sipas Ahmetit i cili e lexoi Deklaratën, demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombësve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, patjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari.  

"Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht. Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit sepse të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqen, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë..", thuhet në tekstin e Deklaratës politike të Frontit Evropian.

Foto: Fronti Evropian

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR