• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fronti Evropian kërkon mbledhje të Kuvendit për situatën e sigurisë, janë parashtruar interpelanca për Mexhitin, Stoilkoviqin, Toshkovskin dhe Isenin

Fronti Evropian kërkon mbledhje të Kuvendit për situatën e sigurisë, janë parashtruar interpelanca për Mexhitin, Stoilkoviqin, Toshkovskin dhe Isenin

Shkup, 3 dhjetor 2024 (MIA) – Grupi parlamentar i Frontit Evropian, në bazë të nenit 205 paragrafi 2 dhe nenit 75 paragrafi 3 nga Rregullorja e Kuvendit, sot parashtroi kërkesë që në seancën e ardhshme në rend dite të vendoset informacioni për situatën e sigurisë në vend. Ata sot parashtruan edhe interpelanca për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoillkoviq dhe për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni. 

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti tha sot në një konferencë për media se janë duke kërkuar informacione për gjendjen e sigurisë në vend në periudhën e fundit, informacione të detajuara kronologjike për ngjarjet në Kumanovë, veçanërisht për djegien e objekteve afariste në këtë qytet dhe sulmet ndaj pronave të qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare, masat dhe hetimet e kryera për ndriçimin e rasteve, duke marrë parasysh ndikimin e tyre të mundshëm në marrëdhëniet ndëretnike, në lidhje me ngjarjet në të cilat janë bërë djegie flamujsh, si dhe informacione për qasjen selektive në drejtim të përpunimit të pjesëmarrësve në të njëjtat ngjarje dhe të gjitha detajet në lidhje me masat e reagimit institucional dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme të ngjashme. Deputetët e Frontit Evropian kërkojnë edhe përgjigje për protokolle në rastet e veprimeve selektive të zyrtarëve të MPB-së, si dhe për mekanizmat e paraparë për mbikëqyrjen e punës së shërbimeve të sigurisë, veçanërisht në situata të tillatë ndjeshme, përgjegjësi për masat e marra dhe jo të marra.

Grupi parlamentar i Frontit Evropian parashtroi interpelancë për punën e katër anëtarëve të kësaj qeverie, siç tha Bexheti, pa legjitimitet etnik: zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, zëvendësin e tij Astrit Iseni dhe zëvendëskryeministrin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoillkoviq. 

“Zëvendëskryeministri Mexhiti si zëvendëskryeministër shqiptar në këtë qeveri, është përgjegjës për keq menaxhimin e situatave që ndodhin në vend, përfshirë marrëdhëniet ndëretnike. Në vend që të vepronte si garant i paqes dhe integrimit ndëretnik, ai ka dështuar të mbrojë interesat e komunitetit shqiptar dhe të kontribuonte në ruajtjen e harmonisë shoqërore dhe ndëretnike. Përkundrazi, ai ka toleruar diskriminimin, drejtësinë selektive nga organet kompetente dhe ka heshtur ndaj padrejtësive të përsëritura që ka pësuar ky komunitet”, tha Bexheti.

Ministri i Punëve të Brendshme Tashkovski dhe zëvendësi i tij Iseni , në ditën e Festës së Flamurit Shqiptar, si persona përgjegjës, sipas tij kanë bërë që  policia ka ndërhyrë në mënyrë të paprecedent dhe të pajustifikuar, duke penguar një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve. 

“Kjo ndërhyrje ka shkaktuar tensione të panevojshme dhe ka minuar atmosferën e paqes dhe bashkëjetesës ndëretnike. Policia, në vend që të ruante rendin publik dhe të respektonte të drejtat e qytetarëve për të festuar këtë ditë, ka nxitur konfrontime dhe ka përshkallëzuar tensionet. Ky dështim i menaxhimit të situatës ka ndodhur për shkak të paaftësisë dhe mungesës së profesionalizmit të Ministrit të Punëve të Brendshme”, tha Bexheti.

Sipas tij, nuk është arrestuar personi i cili e ka djegur flamurin shqiptar.

Interpelancën për zëvendëskryeministrin Stiollkoviq, e parashtrojnë lidhur me ngjarjet e fundit në Kumanovë, ku disa automjete dhe një dyqan shqiptar u dogjën. Stoilkoviq, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ka dështuar të respektojë dhe zbatojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. 

Në konferencë për media ai gjithashtu tha se këto ditë Qeveria tregojnë një përpjekje të qartë për të krijuar një klimë tensioni, jotolerance dhe mosbesimi mes bashkësive etnike ne vend, me një intencë të qartë  të fajësimit të  shqiptarëve për tentim destabilizimi të shtetitBexheti deklaroi se një Maqedoni e Veriut e destabilizuar është në interesin e drejtpërdrejtë të Rusisë, duke minuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke ndalur proceset integruese në BE

“Rusia ndjek agjendën e saj për të ruajtur ndikimin në rajon. Prania e personave si Stoilkoviq, i njohur për lidhjet e tij me Putinin dhe Vulinin, në pozita të larta në qeverinë aktuale, është dëshmi e qartë e infiltrimit të kësaj agjende në strukturat shtetërore”, tha Bexheti.

Nga ana tjetër, vlerëson ai, destabilizimi u shërben edhe interesave të vetë kësaj qeverie, e cila është e paaftë të zbatojë atë që është çelësi i vazhdimit të rrugës eurointegruese, respektivisht ndryshimet kushtetuese që janë të domosdoshme  për të çuar vendin përpara në procesin e integrimit në BE. 

“Përballë dështimeve të saj, qeveria po përpiqet të krijojë një krizë artificiale por të rrezikshme , duke tentuar të zhvendosë fajin te shqiptarët dhe duke i paraqitur ata si fajtorë për destabilizimin e vendit. Kjo qasje është një lojë e rrezikshme, që jo vetëm dëmton marrëdhëniet ndëretnike, por edhe minon stabilitetin të vendit dhe  të gjithë rajonit”, tha Bexheti.

Shqiptarët, siç potencoi, kanë qenë dhe mbeten shtyllë e stabilitetit dhe e zhvillimit të Maqedonisë së Veriut. 

“Shqiptarët nuk kanë asnjë interes për destabilizim. Përkundrazi, ne kemi qenë gjithmonë forca që ka shtyrë përpara proceset euro-atlantike dhe zhvillimin demokratik të vendit. Çdo përpjekje për t'i involvuar dhe akuzuar shqiptarët për skenarë destabilizues është jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme”, tha Bexheti.

U bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë “të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve evidente”, ndërsa faktorit ndërkombëtar që të ndjekë nga afër zhvillimet në Maqedoninë e Veriut dhe të veprojë për të ndaluar çdo përpjekje për destabilizim që buron nga qeveria dhe lidhjet e saj me aktorë me prirje destabilizuese. fc/

Fotografia: Fronti Evropian

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR