• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fronti Europian në Çair: Do të propozojmë Ligj për legalizim, të shpëtojmë qytetarët dhe investitorët, komuna e Çairit mashtroi të gjithë për përfitime personale

Fronti Europian në Çair: Do të propozojmë Ligj për legalizim, të shpëtojmë qytetarët dhe investitorët, komuna e Çairit mashtroi të gjithë për përfitime personale

Shkup, 29 prill 2024

Kandidatja për deputete e Frontit Europian nga Zona e I-rë zgjedhore, Hatixhe Topalli përmes një paraqitje ka ngritur shqetësimet me të cilat përballen qytetarët e komunës së Çairit përfshirë këtu ndërtimet pa leje dhe çështjet pronësoro-juridike. Qytetarët në Çair sipas Topallit nuk kanë as trotoare, as parking e as park për fëmijë. Më tej ajo thotë se në Kuvend do të propozojnë Ligj për legalizim të objekteve, ndërkohë që kërkon edhe mbështetje për Frontin Europian më 8 maj.

Në vazhdim fjalimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Çairit, vëllëzer e motra,
 
Unë jam Hatixhe Topalli, mësuese dhe banore e Çairit. 

Pas 22 viteve aktivitet shoqëror bashkë me ju, sot kandidoj për deputete dhe kërkoj mbështetjen tuaj.
 
Çairi ka nevojë për më shumë dhe këtë do ta bëjmë bashkë.
 
Besimin tonë e keqpërdorën në Çair, e keqpërdorën shumë dhe e sollën në gjendje të mjerueshme, ku nuk ka trotoare, nuk ka parking, nuk ka rrugë, nuk ka gjelbërim, nuk ka hapësira lojërash, nuk ka ujësjellës e kanalizim, nuk ka asnjë investim kapital, por ka uzurpime hapësirash publike, nepotizëm, korrupsion dhe abuzim.
 
Sot po ju drejtohem si kandidate për deputete për një problematikë serioze që na tangon gjithë neve.
 
Jemi dëshmitar të ndërtimeve masive pa leje dhe pa plan në komunën tonë, në Çairin tonë. Lagjet tona janë stërmbushur, qytetarët s’kanë vend për parking, fëmijët s'kanë vend për lojë, nënat s’kanë hapësira për të ecur.
 
Mbi 30 ndërtime të larta të ndërtesave në Çair janë ndërtuar jashtë ligjit dhe nuk kanë as fletë pronësie, as leje.
 
Drejtuesit e Çairit në këto 20 vite kanë mashtruar qytetarët dhe investitorët, por edhe fqinjtë e tyre, për përfitime personale duke i mashtruar qytetarët, me paratë e tyre të fundit, të blejnë banesë që nuk kanë fletë pronësie dhe leje, ndërsa investitorëve të investojnë paratë e tyre në objekte që nuk kanë rregulluar çështjet pronësore-juridike.
 
Faji nuk kanë as qytetarët që kanë blerë banesa, as investitorët që i kanë ndërtuar ato, faj kanë drejtuesit e komunës Çair që kanë abuzuar me besimin tonë për përfitime personale dhe për shkatërrimin e Çairit tonë dhe cilësisë së jetës.
 
Andaj, ne si Front Europian dhe deputetë në Kuvendin e ardhshëm, për arsye se qytetarët dhe investitorët nuk kanë faj për këtë katrahurë urbanistike në Çair, do të propozojmë Ligj për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje në mënyrë që të shpëtojmë qytetarët dhe investitorët, ndërsa do të kërkojmë përgjegjësi ligjore për ata që lejuan këtë gjendje, drejtuesit e komunës Çair.
 
Qytetarët, bizneset, shoqëria, janë të sigurt me ne dhe duhet që me votën e tyre ta dënojnë këtë pasiguri, kaos urbanistik, mashtrim korruptiv, me votë masive me 8 maj sepse ne do t’ua rregullojmë lëmshin në të cilin i kanë vënë drejtuesit 20 vjeçar të Çairit.

_______________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR