Fronti Europian: A është pajtuar “Vlen” me VMRO-në për revidim të Korridorit 8?
- Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski i pyetur nga gazetarët në lidhje me projektin e Korridorit 8, ka theksuar që po shqyrtohet si mundësi anulimi i kontratës me konzorciumin Bechtel & Enka.
- Post By Besnik Shuki
- 13:10, 17 maj, 2024
Shkup, 17 maj 2024
Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski i pyetur nga gazetarët në lidhje me projektin e Korridorit 8, ka theksuar që po shqyrtohet si mundësi anulimi i kontratës me konzorciumin Bechtel & Enka.
Fronti Europian konsideron që anulimi i kontratës për projektin më të madh infrastrukturor në historinë e vendit dhe me një rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik të vendit është akt i papranueshëm dhe i pamundur. Asnjë Qeveri nuk mund ta anulojë kontratën me konzorciumin Bechtel & Enka.
Vlerësojmë se ky qëndrim është tentativë për minimizimin e punës së madhe dhe projektit më të madh në historinë e vendit që deri më tani Qeveria progresive dhe proeuropiane e ka realizuar duke е futur në binarët e realizimit projektin e lënë me qëllim në labirintet e harresës.
Kontrata me Bechtel & Enka është e nënshkruar sipas të gjitha dispozitave ligjore, korrekte në çdo aspekt dhe askush nuk mund ta njollosë korrektësinë e saj përmbajtësore dhe dobinë që i sjell vendit realizimi i përpiktë i saj.
Pyesim publikisht, a është ky qëndrim edhe i opozitës shqiptare humbëse e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale “Vlen” kundër Korridorit 8?!
Deri më tani, në këto pak ditë, u quajtëm “makedonski albanci”, u tha që s’ka ndryshime kushtetuese, që s’ka perspektivë europiane, që suspendohet marrëveshja e Ohrit dhe që opozita humbëse e zgjedhjeve s’ka asnjë kusht të vetëm për formimin e Qeverisë së ardhshme.
A i ndajnë këto qëndrime edhe drejtuesit e opozitës shqiptare?
_____________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.