• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fridrih Merc është kandidati i CDU-së për kancelar gjerman në zgjedhjet e vitit të ardhshëm

Fridrih Merc është kandidati i CDU-së për kancelar gjerman në zgjedhjet e vitit të ardhshëm

 Berlin, 17 shtator 2024 (MIA) - Partia opozitare e Gjermanisë, Unioni Demokristian (CDU) sot njoftoi se Fridrih  Merc është kandidati i tyre për kancelar në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm.

 Zgjedhja u njoftua në një konferencë për shtyp në të cilën folën Merc dhe Markus Zeder, kryeministri bavarez dhe lider i Unionit Kristian-Social (CSU), i cili ishte gjithashtu një kandidat për funksionin.

 Zederi theksoi se e mbështet plotësisht Mercin dhe se i bashkon qëllimi i përbashkët për rrëzimin e  qeverisë aktuale "dhe kthimin e Gjermanisë në rrugën e duhur".

 Merci falënderoi Zederin për mbështetjen dhe tha se partia e tij, e cila u drejtua për vite nga ish-kancelarja Angela Merkel, ka "qëllim të fortë sërish ta marrë përgjegjësinë e udhëheqjes në vend".

 Ky vendim paraqet sfidë për kancelarin aktual Olaf Sholc në zgjedhjet e planifikuara për në shtator të vitit 2025.

Sholci deklaroi se dëshiron sërish të kandidohet për kancelar, por partia e tij nuk e ka konfirmuar këtë.

 Merci për momentin konsiderohet favorit, pasi Zederi nuk arriti të marrë mbështetje për kandidaturën e tij, shkruajnë mediat gjermane.

 Gjermanët përballen me zgjedhjet vitin e ardhshëm në një kohë kritike, pasi vendi po përpiqet të integrojë një numër të madh refugjatë ndërsa ekonomia po dobësohet. Sulmet e fundit ekstremiste kanë nxitur një rritje të mbështetjes për të djathtën ekstreme.

 Anketat tregojnë se Demokristianët për momentin  janë partia më e fortë në vend.

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR