• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Forumi për ndryshime në arsim: Institucionet të ndërmarrin masa për shkeljet e shumta ligjore në Universitetin e Tetovës

Forumi për ndryshime në arsim: Institucionet të ndërmarrin masa për shkeljet e shumta ligjore në Universitetin e Tetovës

Tetovë, 8 tetor 2024 (MIA) - Organizata joqeveritare Forumi për ndryshime në arsim sot në Tetovë mbajti konferencë për media ku drejtori ekzekutiv Blendi Hodai potencoi se Inspektorati shtetëror i arsimit ka konfirmuar indikacionet e tyre se vitit e kaluara në universitetin e Tetovës ka pasur shkelje ligjore, juridike, akademike, njerëzore dhe morale.

"Shkeljet nuk janë aq tragjike, sa janë mbrojtja dhe promovimi i vazhdueshëm i shkeljeve, duke e bërë Universitetin e Tetovës një strehë të sigurt për të gjithë ata që e kanë më të lehtë të dorëzojnë shpirtin se sa karrigen e rektorit, për ata të cilët edhe pse injorantë përmbushin ëndrrën e tyre për avancim me çdo kusht, duke thyer çdo parim profesional dhe njerëzorë. Edhe pse Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk pranoi ta dërgonte tek ne, ne bëmë të pamundurën dhe dhamë raportin e inspektimit të fundit sepse këto raste nuk mund të mbeten thjesht në letër. Midis shkeljeve të konstatuara janë: Merita Mustafa, aktualisht asistente në Fakultetin e Shkencave e cila në publik është e njohur për shkak të pozitave të saj drejtuese shtetërore në Universitetin e Tetovës është graduar në mënyrë të paligjshme me titullin akademik, me mesatare në ciklin e parë të studimeve 7,7 - që është në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë", tha Hodai.

Për ish rektorin dhe aktualisht kryetar i Senatit, Vulnet Ameti, Hodai potencoi se para përfundimit të mandatit të dytë të rektorit në vitin 2021, nuk ka nisur procedurat për zgjedhjen e rektorit të ri, me çka, tha "krijoi një situatë kaotike, duke lënë Universitetin pa rektor për 5 muaj e 9 ditë në kundërshtim me Ligjin e arsimit të lartë".

"Dhe përkundër faktit se ligji e kufizon në maksimum gjashtë muaj, Universiteti i Tetovës gjithsej një vit, nga vitit 2021 deri në vitin 2022, ka funksionuar me u.d rektor. As Reshat Qaili, as Kushtrim Ahmeti, as Vullnet Ameti nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin gjegjësisht asnjëri prej tyre nuk e ka shpallur konkursin për rektor brenda 30 ditëve", ka theksuar Hodai.

Ata konfiromojnë se u.d rektori i zgjedhur ka pasur titullin akademik profesor, që është në kundërshtim me Ligjin për arsimin e lartë.

"Në vitin 2023, Universiteti i Tetovës pas reagimeve të Forumit për ndryshime në arsim e anuloi konkursin e paligjshëm për rektor. Por, inspektorati ka konstatuar se nuk është zbatuar në mënyrë të drejtë, konkursi është anuluar, por jo aktet e tjera që kanë të bëjnë me atë konkurs të kundërligjshëm. Trupi më i rëndësishëm në Universitet është Senati – edhe në këtë trup në kuadër të Universitetit të Tetovës është konstatuar se ka pasur zgjedhje të anëtarëve në formë të kundërligjshme, me zgjedhjen e anëtarëve të rinj para skadimit të mandatit të mëparshëm të senatorëve. Kështu, gjithsej 11 muaj Universiteti punoi me anëtarë të Senatit pa një mandat të verifikuar. Gjithashtu, në periudhën e vitit 2021-2022, gjashtë fakultete kanë zgjedhur senatorë të rinj para skadimit të mandatit të senatorëve të mëparshëm, gjë që është në kundërshtim me Statutin", theksoi Hodai.

Ata kanë dërguar kërkesa deri tek institucionet kompetente për marrjen e masave hetimore, pasi që vlerësojnë se të gjitha shkeljet janë me të njëjtën normë.

"Në vend të takimeve të cilat MASH i mban me këta shkelës, urgjentisht kërkojmë që të bëhet diçka për titullin e paligjshëm akademik të Merita Mustafës, të fillojë procedurë për anulimin e vendimeve të Senatit të përbërë nga anëtarë pa mandat të verifikuar, prokuroria të fillojë hetimin e plotë për shkeljet e konstatuara përderisa ekzistojnë elemente të kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe MASH-it i kujtojmë propozimin tonë për vetingun në arsim të lartë, nëse janë ende të intersuar për ta kthyer integritetin në arsimin e lartë", potencoi Blendi Hodai. rq/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR