• e shtunë, 23 nëntor 2024

Forumi për ndryshime arsimore propozon veting në arsimin e lartë si zgjidhje kundër korrupsionit

Forumi për ndryshime arsimore propozon veting në arsimin e lartë si zgjidhje kundër korrupsionit

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Vendosja e procesit të vetingut të të gjithë personave të cilët kanë pozicione drejtuese në universitetet shtetërore, në Këshillin për akreditim në Ministrinë e Arsimit dhe në të gjitha avancimet akademike të pedagogëve, është një nga zgjidhjet kundër korrupsionit, të cilat i propozon Forumi për ndryshime arsimore në panel-diskutimin për korrupsion në arsimin e lartë, e cila u mbajt sot në "Europe House“.

Sipas Blendi Hodait, drejtori ekzekutiv i Forumit për ndryshime arsimore, atë që e karakterizon arsimin vendor në vitet e fundit është nepotizmi, korrupsioni dhe shumë afera tjera që ndikojnë ndaj cilësisë së sistemit tonë arsimor.

"Kjo është vërtetuar edhe me rezuzltatet PIZA para dy ditëve, ku Republika e Maqedonisë së Veriut është në fund, ndërsa sisstemi ynë arsimor prodhon vetëm analfabet funksionarë", thotë ai.

Rekomandimet e tyre është që të vendoset koncept i vetingut në arismin e lartë.

"Vendosja e procesit të vetingut për të gjithë personat që mbajnë poste drejtuese në universitetet shtetërore – rektorë, zëvendësrektorë, dekanë dhe zëvendësdekanë. Gjithashtu duhet bërë një veting në Bordin e akreditimit në MASH, sepse i njëjti Bord në vitet e kaluara ka akredituar institucione të ndryshme që janë fiktive dhe që janë rezultat i një konflikti interesi mes anëtarëve me disa persona, universitete që prodhojnë vetëm diploma. Dhe së treti, ne duam dhe kërkojmë që të bëhet një veting i të gjitha gradimeve akademike të pedagogëve në pozicionet e profesorit asistent, docent dhe profesor ordinar në vitet e kaluara, sepse informacioni ynë fillestar është se mbi 45 për qind e pedagogëve nuk mund t'i konfirmojnë titujt e tyre akademikë, që do të thotë se ose i kanë adoptuar me plagjiaturë, ose i kanë miratuar duke mos respektuar dispozitat ligjore të shkruara në Ligjin për arsimin e lartë", theksoi Hodai.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në diskutimin e tij në panelin me temën “Korrupsioni në Arsimin e Lartë”, tha se perceptimet e larta për korrupsionin në arsimin e lartë janë të disfatshme.

"Format e korrupsionit në arsimin e lartë mund të jenë të ndryshme, nga ryshfeti aktiv dhe pasiv, deri te tregtia me ndikim, abuzimet në prokurimet publike, procedurat e përzgjedhjes, punësimi dhe avancimi,  akreditimi, si dhe praktikat e nepotizmit dhe kronizmit", theksoi ai.

Ministri Lloga porositi që Komuniteti akademik,  vetë t`i pastrojë radhët e tij dhe të ruajë integritetin dhe reputacionin e tij dhe se na nevojitet regjistër i diplomave që të mos ketë keqpërdorime dhe korrupsion në arsimin e lartë.

Në evidencën e lëndëve karakteristike të rasteve të korrupsionit, është edhe rasti i “Erasmus”, një rast që nuk guxojmë të lejojmë të përsëritet.

Sipas Llogës, në një hulumtim të kryer në vitin 2022, për një raport të publikuar nga OSBE-ja, nga hulumtimi i perceptimit të formave gjinore të korrupsionit në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 84 për qind e studentëve të përfshirë në hulumtim,  konsiderojnë se korrupsioni është problem në arsimin e lartë në vendin tonë, ndërsa gjashtë nga dhjetë  studentë të përfshirë në hulumtim, korrupsionin e vlerësojnë si problem të madh.

Si nxitës kryesor i korrupsionit në arsimin e lartë, veçohet kuadri mësimor-shkencor (profesorë, docentë, asistentë).

Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, inicion dhe shpreh mbështetjen për zbatimin e aktiviteteve përkatëse për zhvillimin e programeve arsimore publike sistematike dhe kombëtare për arsimin e lartë, të cilat do të kontribuojnë në jo tolerancën ndaj korrupsionit. mb/

Foto: MIA dhe Ministria e Drejtësisë

 

QËNDRONI TË LIDHUR