• e enjte, 26 dhjetor 2024

Forumi ministror: Forcimi i bashkëpunimit BE-BP, përgjigja më efikase për ballafaqim me sfidat bashkëkohore të sigurisë

Forumi ministror: Forcimi i bashkëpunimit BE-BP, përgjigja më efikase për ballafaqim me sfidat bashkëkohore të sigurisë

Shkup, 26 tetor 2023 (MIA) - Forcimi i bashkëpunimit për menaxhimin e migracionit, luftës kundër trafikimit të drogës dhe luftës kundër terrorizmit u diskutuan në sesionin për punë të brendshme në ditën e parë të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor.

Në konferencë për media pas sesionit, folën ministri i Brendshëm i Mbretërisë së Spanjës, Fernando Grande-Marlaska Gomez, i cili përfaqëson Presidencën e Këshillit të BE-së, Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme, Ilva Johanson dhe ministri i Brendshëm Oliver Spasovski në emër të nikoqirit – Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Brendshëm spanjoll Gomez vlerësoi se dita e parë e Forumit krijoi debat produktiv dhe të pasur për tema që kërkojnë përgjigje të përbashkët, të koordinuar dhe të vendosur.

"Ky takim i ri konfirmon forcën e kësaj miqësie dyrajonale, e cila gjithashtu do të ketë një arritje të re me samitin e presidentëve dhe kryeministrave, që do të mbahet në dhjetor. Sot, askush nuk dyshon në thirrjen e qartë evropiane në Ballkanin Perëndimor, një projekt që është një nga prioritetet e Presidencës Spanjolle të Këshillit dhe për të cilin ne jemi të përkushtuar për konsolidimin dhe forcimin e saj", tha ministri spanjoll Gomez.

Lidhur me temat e diskutuara në Forumin e sotëm, Gomezi veçoi luftën kundër terrorizmit si prioritet kryesor për momentin.

"Ne ndajmë një qëllim shumë të qartë, luftën kundër terrorizmit, i cili është prioriteti jonë kryesore për momentin, siç ramë dakord sot në samit. Ne gjithashtu ramë dakord që përgjigja më efektive është ajo e bazuar në bashkëpunim dhe kooperim. Mënyra që duhet të ndjekim është bashkëpunimi operativ policor, i cili tashmë ka një mjet të rëndësishëm - Planin e përbashkët të veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor", tha Gomezi.

Në pjesën për parandalimin e trafikimit të paligjshëm të drogës, ai vuri në dukje faktin se bashkëpunimi i ndërsjellë është më aktiv dhe efektiv se kurrë më parë, midis Europolit, vendeve anëtare të BE-së dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor.

Komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Johanson theksoi se gjatë ditës ata me partnerët në rajon janë përqendruar në temat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor në fushën e sigurisë dhe migracionit. Ajo theksoi se dje kishte një shembull shumë të mirë praktik të kësaj në Maqedoninë e Veriut, me hapjen e një Departamenti të ri të Hetimit Mjekoligjor, për të cilin BE kontribuoi me 3.6 milion euro, i cili do të kontribuojë në

përmirësimin e kapaciteteve të policisë në fushën e hetimit, si dhe mundësitë për koordinim në të ardhmen.

"Partnerët nga Ballkani Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor në rrugën e tyre të aderimit në BE. Reformat e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit janë fundamentale. Sot patëm një diskutim shumë të mirë për forcimin e bashkëpunimit tonë për menaxhimin e migracionit, luftën kundër trafikimit të drogës dhe luftën kundër terrorizmit", tha Johanson dhe falënderoi ministrin Spasovski dhe Maqedoninë e Veriut për mikpritjen, si dhe presidencën spanjolle të BE-së.

Në lidhje me ballafaqimin me migracionin e paligjshëm, ajo nënvizoi se përpjekjet e përbashkëta po japin rezultate pozitive, siç dëshmohet nga zvogëlimi i presionit migrues përgjatë rrugëve ballkanike drejt BE-së të konfirmuar në Raportin e KE-së të dhjetorit të vitit të kaluar. Me këtë rast theksoi se partnerët e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përparojnë drejt harmonizimit me regjimin e vizave, gjë që është e rëndësishme për t'u përballur me abuzimet e mundshme të liberalizimit të vizave. Maqedonia e Veriut, tha Johanson, është shembull për t'u ndjekur në këtë sferë. Ajoi nënvizoi se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX - Agjencinë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare.

Ministri Spasovski shprehu kënaqësinë që Republika e Maqedonisë së Veriut, në vetëm disa vjet, rihapi dyert e saj sot si nikoqire e këtij Forumi jashtëzakonisht të rëndësishëm ministror, në të cilin u shkëmbyen pikëpamje që do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe forcimin e politikave të përbashkëta.

"Fjala bashkësi kaloi nëpër të gjitha diskutimet, që është një tregues tjetër se nuk jemi mbledhur rastësisht këtu të gjithë së bashku - sepse krijimi i politikave të përbashkëta është vetëm parakusht për funksionimin e përbashkët në kuadër të BE-së. Dera është e hapur dhe ne po ecim me vendosmëri përpara", tha Spasovski.

Duke iu referuar tërësisë së fundit tematike të ditës së parë të Forumit, në lidhje me menaxhimin e migracionit, Spasovski kujtoi se në të njëjtën ditë të një viti më parë, ai dhe Komisioneri i BE-së Johanson nënshkruan Marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare – FRONTEKS.

"Operacionalizimi i kësaj marrëveshjeje dhe fillimi i Operacionit të Përbashkët FRONTEX në prill të këtij viti, si partnerë të barabartë, i cili me të gjithë parametrat jep rezultate jashtëzakonisht të larta operative, tregojnë se vetëm me një qasje të përbashkët dhe të koordinuar mund të ballafaqohemi me sukses me sfidat globale," porositi Spasovski.

Ai iu referua edhe sesionit kushtuar luftimit të ndikimit të drogës në shoqëri, në të cilin së bashku u përshëndet bashkëpunimi i forcuar policor në vitet e fundit, i cili mundësoi shpërbërjen e përbashkët të një numri të grupeve të organizuara kriminale të përfshira në trafikun e drogës në të gjithë Evropën dhe më gjerë, dhe një rritje të konfiskimeve të narkotikëve. Ai informoi për arritjet e vendit, duke përfshirë tre transportet e ndërprera ndërkombëtare të marihuanës dhe pesë grupe të luftuara kriminale që vepronin në nivel ndërkombëtar.

Sesioni i nesërm i Forumit i kushtohet fushës së Drejtësisë, në të cilën do të marrin pjesë Komisioneri Evropian për Drejtësi Didie Rejnders dhe ministrat e Drejtësisë të Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maria Pilar Lop Kuenka dhe Krenar Lloga.

QËNDRONI TË LIDHUR