• e premte, 27 dhjetor 2024

Forumi i tretë i Prespës për dialog me fokus në zgjerimin evropian, unitetin dhe stabilitetin

Forumi i tretë i Prespës për dialog me fokus në zgjerimin evropian, unitetin dhe stabilitetin

Shkup, 13 qershor 2023 (MIA) - Struga do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të Forumit të Prespës për dialog i cili do të mbahet më 15 dhe 16 qershor dhe përkon me pesë vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Fokusi do të jetë në nevojën për unitetin dhe stabilitetin e Evropës dhe mundësitë për integrim të përshpejtuar të vendeve të tjera të kontinentit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, si organizator i forumit do ta udhëheq sesionin qendror të konferencës "Pesë vite nga Marrëveshja e Prespës - sfida që krijojnë mundësi".

"Agresioni rus në Ukrainë na kujtoi nevojën për një Evropë të bashkuar për mbrojtje të vlerave dhe interesave të saj. Nuk ka asnjë mendim politik shkencor përkatës që nuk e vendos temën e Evropës së bashkuar si një faktor kryesor për unitet dhe stabilitet në kontinent të pasqyruar përmes integrimit të forcuar dhe të përshpejtuar të pjesës tjetër të vendeve të kontinentit në BE. Në forumin e sivjetshëm do të diskutojmë se sa është i mundur që ky mision të përmbushet deri në fund të kësaj dekade ose një familje e gjerë evropiane deri në vitin 2023", ka thënë sot në konferencën për media, ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani.

Ai paralajmëroi një listë të gjerë të mysafirëve nga të cilët pret biseda produktive dhe porosi serioze të destinuara kryesisht për rajonin në një kontekst të gjerë evropian.

"Si mysafirë janë konfirmuar shefa të shteteve dhe qeverive, përfshirë presidentin e ri të Malit të Zi, presidentin e Kroacisë dhe Shqipërisë, kryeministrat e rajonit, ministra për Punë të Jashtme dhe Evropës të Kroacisë, Irlandës, Çekisë, përfaqësues ndërkombëtarë mes të cilëve edhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i KB-së dhe OSBE-së, drejtoresha e re e IOM-it, përfaqësues të lartë të organizatave të shumta tink -tenk", ka paralajmëruar Osmani, duke shtuar se janë paraparë edhe video fjalime edhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe kryetarit të Këshillit Evropian.

Foto: MIA 

QËNDRONI TË LIDHUR