• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Konfliktet dhe ndryshimet kërkojnë një angazhim më të madh global të BE-së

Fon der Lajen: Konfliktet dhe ndryshimet kërkojnë një angazhim më të madh global të BE-së

Bruksel, 6 nëntor 2023 (MIA) - Bota ka ndryshuar në shumë mënyra dhe konfliktet dhe tmerret e tyre po shumohen rreth kufijve tanë, duke u shkaktuar dhimbje civilëve të pafajshëm dhe e gjithë kjo po ndodh në kohën e transformimeve të mëdha, ndryshimeve klimatike dhe rritjes të teknologjive të reja, të cilat mund të ndikojnë në ekonomitë, shoqëritë dhe sigurinë, tha kryetarja e Komisionit Europian në fjalimin e sotëm në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së në Bruksel.

“Këto kohë konfliktesh dhe ndryshimesh kërkojnë që Europa të jetë edhe më e angazhuar në skenën globale. Madhësia dhe shtrirja e ngjarjeve të sotme kërkon që ne të veprojmë dhe të mendojmë në mënyrë strategjike. Madje edhe kur mjegulla e luftës është e dendur dhe emocionet janë të larta. Këto kohë kërkojnë që Bashkimi Evropian të shfrytëzojë plotësisht potencialin e tij të politikës së jashtme, nga diplomacia tradicionale te tregtia, ndihma dhe investimet. Këto janë parimet që na kanë udhëhequr deri më tani – angazhimi, të menduarit strategjik dhe uniteti në veprim”, tha Fon der Lajen.

Ajo kujtoi se fundjavën e kaluar vizitoi Kievin, nga ku dëgjoi mesazhin se populli i Ukrainës dëshiron të hyjë në BE dhe beson në Evropë më shumë se kurrë më parë.

“Kjo sepse i gjithë kontinenti është mobilizuar në mbështetje të Ukrainës. Por edhe për shkak të punës së pabesueshme të stafit të BE-së në vend”, theksoi Fon der Lajen.

Kryetarja e KE-së theksoi se synimi i Rusisë për të rrëzuar qeverinë në Kiev, jo vetëm se dështoi, por kontribuoi në forcimin e mbështetjes për Ukrainën dhe ambicien dhe vendosmërinë e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Rusia donte të fshinte identitetin kombëtar të Ukrainës. Në vend të kësaj, lufta e bëri identitetin e Ukrainës më të fortë se kurrë. Rusia donte të dobësonte NATO-n. Në vend të kësaj, NATO është forcuar nga dy aleatë të rinj dhe shpenzimet e mbrojtjes po rriten në të gjithë Evropën. Ushtria ruse humbi gjysmën e pajisjeve të saj konvencionale dhe sakrifikoi mbi 100.000 të rinj... Një gjë është e qartë: për shkak të vendosmërisë së Ukrainës dhe për shkak të mbështetjes sonë të palëkundur, kjo luftë do të mbetet një dështim strategjik për Kremlinin” vuri në dukje Fon der Lajen, duke shtuar se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Sipas saj, BE-ja duhet të përpiqet të arrijë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, jo një tjetër konflikt të ngrirë, për të garantuar sigurinë afatgjatë të vendit dhe për të mundësuar stabilitet dhe prosperitet në afat të mesëm dhe afatgjatë, gjë që do të arrihej më së miri me anëtarësimin në Union.

Fon der Lajen iu referua gjithashtu zhvillimeve në Lindjen e Mesme, duke theksuar se nuk ka asnjë justifikim për tmerrin që Hamasi kreu ndaj burrave, grave, fëmijëve dhe foshnjave të pafajshme më 7 tetor.

 

“Në vazhdën e vrasjes masive më të rëndë të hebrenjve që nga Holokausti, është detyra jonë morale të tregojmë solidaritetin tonë të plotë me popullin e Izraelit. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Kjo është dhe vazhdon të jetë pikënisja bazë. Dhe kjo është ajo që na jep besueshmërinë për të diskutuar përgjigjen e Izraelit ndaj terrorit të Hamasit, por edhe për të dalë me ide për një zgjidhje politike shumë të nevojshme”, shtoi Fon der Lajen.

Ajo thekson se është thelbësore jo vetëm të mbështetet Izraeli, por edhe të ndihmohen civilët në Gaza, të cilët po përballen me një situatë të tmerrshme humanitare.

“Numri i të vdekurve dhe vuajtjet e civilëve palestinezë është tragjik. Dhe si politikëbërës ne përballemi me një dilemë të tmerrshme. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, ndërsa Hamasi fsheh luftëtarët dhe ruan armë në kampet e refugjatëve dhe infrastrukturën civile. Hamasi me sa duket po përdor palestinezët e pafajshëm dhe pengjet si mburoja njerëzore. Eshte e tmerrshme. Ndërsa Izraeli ka të drejtë të luftojë Hamasin, është gjithashtu thelbësore që ai të përpiqet të shmangë viktimat civile. Sepse çdo jetë njerëzore është e rëndësishme, qoftë ajo izraelite apo palestineze”, tha kryetari i KE-së.

Ajo tregoi se aktivitetet e BE-së kanë për qëllim ofrimin e mbështetjes humanitare për popullsinë civile në Gaza, lirimin e personave të mbajtur peng nga Hamasi dhe shmangien e shndërrimit të konfliktit aktual në një konflikt rajonal.

“Miliona njerëz në mbarë botën mendojnë se Lindja e Mesme është mbërthyer në një spirale konflikti të pafund, ku dhuna çon vetëm në më shumë dhunë. Por kjo nuk duhet të jetë kështu”, vuri në dukje Fon der Lajen.

Sipas saj, Gaza nuk mund të jetë një strehë e sigurt për terroristët, që do të thotë se organizata terroriste Hamas nuk mund ta kontrollojë enklavën, por duhet të jetë nën administrimin e Autoritetit Palestinez. Ajo shtoi se nuk duhet të ketë bllokadë të përhershme dhe zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga Gaza, as prani afatgjatë të sigurisë izraelite në enklavë, e cila duhet të jetë "një pjesë thelbësore e çdo shteti të ardhshëm palestinez".

“Evropa është e gatshme të punojë me të gjithë njerëzit dhe vendet në rajon për ta realizuar atë. E gjithë kjo mund të duket shumë ambicioze, pasi lufta është ende e ndezur. Por ne nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje për të mbajtur gjallë shpresën. Për të gjetur një zgjidhje të përhershme, bazuar në modelin e dy shteteve, që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri. Është koha për një përpjekje ndërkombëtare për paqen në Lindjen e Mesme. Dhe ne do të luajmë rolin tone”, tha Fon der Lajen.

Ajo iu referua edhe marrëdhënieve të BE-së me Kinën, të cilën e vlerësoi si një nga më komplekset dhe më të rëndësishmet në botë.

“Qëllimi i qartë i Partisë Komuniste Kineze është një ndryshim sistematik i rendit ndërkombëtar, me Kinën në qendër. Këtë e kemi parë me qëndrimet e Kinës në organet shumëpalëshe, të cilat tregojnë vendosmërinë e saj për të promovuar një vizion alternativ të rendit botëror.

Por ky rivalitet mund të jetë konstruktiv, jo armiqësor. Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për kanale funksionale komunikimi dhe diplomaci të nivelit të lartë”, tha Fon der Lajen.

Sipas saj, Kina dhe BE-ja kanë një interes të përbashkët për stabilitetin e Lindjes së Mesme, prandaj çdo ndikim që Pekini ka në Hamas dhe Iran duhet të përdoret për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Duhet të kemi një pasqyrë të qartë se si po ndryshon pozicioni global i Kinës. Ne shohim një shtytje të fortë për ta bërë Kinën më pak të varur nga bota dhe botën më të varur nga Kina. Gjeopolitika dhe gjeoekonomia nuk mund të shihen më si të ndara”, shtoi kryetarja e KE-së.

Ajo iu referua edhe programit “Porta Globale” si një model unik i BE-së për bashkëpunim dhe investim në vendet e treta me përfitime të qarta dhe transparente.

“Këto janë investime në prosperitetin e partnerëve tanë, si dhe në sigurinë ekonomike të Evropës. Ne kemi fuqinë për të sjellë ndryshim të vërtetë dhe më në fund po përdorim asetet tona të mëdha ekonomike në një mënyrë shumë më strategjike”, tha Fon der Lajen.

Sipas saj, pavarësisht nëse përballet me një Rusi armiqësore, një Lindje të Mesme që po zien apo një ekonomi globale e fragmentuar, thelbi i përgjigjes së BE-së duhet të mbetet i njëjtë.

“Ne duhet të veprojmë së bashku, duke harmonizuar interesat dhe vlerat tona. Sepse ajo që ndodh me demokracinë dhe lirinë, paqen dhe sigurinë, në një pjesë të botës ndikon drejtpërdrejt në jetën e evropianëve këtu në Bashkimin tonë. Fuqia më e madhe e Evropës qëndron në mjetet e ndryshme që mund të mobilizojmë - nga ndihma te tregtia, nga sanksionet te investimet. Dhe ju, të nderuar ambasadorë, luani një rol qendror dhe vendimtar. Delegacionet tona janë qendra e veprimit tonë të jashtëm. Në një botë ku madhësia dhe pesha kanë rëndësi, ne duhet të vëmë të gjithë forcën e Unionit tonë në shërbim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, tha Fon der Lajen në një fjalim në Konferencën e Ambasadorëve të BE-së në Bruksel.

Fotografia: BE

QËNDRONI TË LIDHUR