• e shtunë, 24 janar 2026

Fon der Lajen: Jemi afër një marrëveshjeje me SHBA-në për një kornizë të përbashkët për prosperitetin e Ukrainës

Fon der Lajen: Jemi afër një marrëveshjeje me SHBA-në për një kornizë të përbashkët për prosperitetin e Ukrainës

Bruksel, 23 janar 2026 (MIA) - Bashkimi Evropian është afër arritjes së një marrëveshjeje me SHBA-në dhe Ukrainën për një kornizë të vetme të përbashkët për prosperitet, si instrument për rritjen e prosperitetit të Ukrainës që nga momenti kur të arrihet armëpushimi, paralajmëroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit joformal të BE-së të mbajtur mbrëmë në Bruksel.

"Po flasim për një dokument të vetëm që përfaqëson vizionin kolektiv të ukrainasve, amerikanëve dhe Evropës për të ardhmën e Ukrainës pas luftës", tha Fon der Lajen. 

Sipas saj, shtyllat kryesore të kësaj kornize janë rritja e produktivitetet ukrainas, përshpejtimi i integrimit të Ukrainës në Tregun e përbashkët të BE-së, rritje e ndjeshme e investimeve, koordinim më i fortë me donatorët, si dhe zbatimi i reformave themelore që lidhen me përforcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe modernizimin e administratës publike. 

"Kjo kornizë për prosperitet është një pikë kthese shumë e rëndësishme. Siç thashë, jemi pothuajse pranë një marrëveshjeje. Po e përgatisim në mënyrë aktive të ardhmen e Ukrainës si një vend modern, sovran dhe i lirë. Ky është një sinjal i fuqishëm për fqinjin partnerin tonë të guximshëm në kohë të vështira", tha Fon der Lajen. 

Ajo shtoi se në një kohë kur Rusia po dyfishon sulmet e saj në Ukrainë, BE-ja këtë javë po dërgon 447 gjeneratorë në vend, me vlerë 3,7 milionë euro, për të siguruar rrymë në spitale, strehImore dhe shërbime kritike. 

“Puna po përparon mirë edhe në lidhje me aspektet e sigurisë dhe prosperitetit të negociatave të paqes. Sa i përket garancive të sigurisë, takimi i fundit në Paris solli përparim të mirë. Siç e dini, tani po presim përgjigjen ruse,” shtoi Fon der Lajen. ls/ 

Foto: EBS

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR