• e shtunë, 23 nëntor 2024

Fon der Lajen: Energjia bërthamore mund të sigurojë çmime stabile të rrymës

Fon der Lajen: Energjia bërthamore mund të sigurojë çmime stabile të rrymës

Bruksel, 21 mars 2024 (MIA) - Pas krizës energjetike globale, të shkaktuar nga pushtimi rus ndaj Ukrainës, shumë vende kanë pikëpamje të re ndaj rolit potencial që mund ta luajë energjia bërthamore, që është posaçërisht me rëndësi për realizimin e objektivave klimatike, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin e Samitit për energji bërthamore që sot mbahet në Bruksel.

"Të mos harrojmë se në botë energjia bërthamore është burimi i dytë sipas madhësisë së energjisë elektrike me emisione të ulëta të dëmshme, menjëherë pas hidroenergjisë. Që ta ruajnë sigurinë energjetike, vendet kërkojnë ta zvogëlojnë varësinë e tyre nga derivatet e importuara fosile, ndërsa që të sigurohet konkurrenca e tyre, energjia bërthamore mund të sigurojë stabilitet për çmimet e energjisë elektrike", theksoi Fon der Lajen.

Ajo theksoi se në BE ekzistojnë qëndrime të ndryshme rreth energjisë bërthamore, por se megjithatë beson se teknologjitë bërthamore mund të luajnë rol të rëndësishëm në tranzicionin e energjisë së pastër.

Lajen tha se në korniza globale ekziston trend i rënies së pjesëmarrjes së teknologjive bërthamore në tregun energjetik, me ç'rast sot nga centrale bërthamore vijnë vetëm nëntë për qind nga rryma e prodhuar, për dallim nga viti 1988, kur ajo pjesë ishte 18 për qind.

"Energjia bërthamore ende është burimi më i madh individual për prodhimin e rrymës në BE me 22 për qind. Por, kjo pjesë në mënyrë të konsiderueshme është nën nivelin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kur energjia bërthamore ka prodhuar një të tretën e energjisë elektrike në Evropë", shtoi Fon der Lajen.

Sipas saj, për rritjen e kontributit të energjisë elektrike drejt realizimit të qëllimit të BE-së për neutralitet klimatik, nevojiten investime më të mëdha, harxhime më të mëdha të centraleve bërthamore, si dhe shfrytëzimi i saj për ngrohje.

Organizator i Samitit, ku marrin pjesë delegacione nga 30 shtete, ekspertë dhe përfaqësues të industrisë, qendra hulumutese dhe të sektorit joqeveritar, është Agjencia ndërkombëtare për energji bërthamore (ANEB). bsh/

Foto: EBS

QËNDRONI TË LIDHUR