FIO: Zhvillimet ekonomike në Evropë do të reflektohen edhe tek ne, deri më tani nuk ka paralajmërime për largime nga puna
- - Askush nuk mund të parashikojë me besueshmëri se çfarë do të ndodhë me ekonominë globale, Evropa po përballet me sfida dhe kjo, sigurisht, do të ndikojë në rajon. Por, për momentin, pavarësisht situatës, sidomos asaj në Gjermani, nuk ka paralajmërime për largime nga puna, madje ka nevojë edhe për fuqi punëtore, thonë përfaqësues nga Forumi Investues i Odave.
Shkup, 17 dhjetor 2024 (MIA) - Askush nuk mund të parashikojë me besueshmëri se çfarë do të ndodhë me ekonominë globale, Evropa po përballet me sfida dhe kjo, sigurisht, do të ndikojë në rajon. Por, për momentin, pavarësisht situatës, sidomos asaj në Gjermani, nuk ka paralajmërime për largime nga puna, madje ka nevojë edhe për fuqi punëtore, thonë përfaqësues nga Forumi Investues i Odave.
Ata sot para takimit në Shkup thanë se është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen plotësisht ekonomikisht dhe t'i eliminojnë pengesat e bashkëpunimit ekonomik. Ata po ashtu theksuan se është gjë e mirë që inflacioni në nivel global është rreth tre për qind, kurse në vendet e zhvilluara është 2,1-2,2 për qind, si dhe nuk pritet të rritet në afat të mesëm apo afatgjatë, që do të thotë se normat e interesit janë gjithashtu më të ulëta, dhe kjo është në favor të biznesit.
Sipas FIO, në Evropë aktualisht nuk diskutohet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit, por faktorët e jashtëm nuk mund të parashikohen, veçanërisht deri në hyrjen në fuqi të administratës së re amerikane dhe deri në përfundimin e zgjedhjeve në Gjermani.
Pikërisht ndryshimi i qeverisë në SHBA dhe vendosja e një politike të re, si dhe lufta në Ukrainë, janë vetëm disa nga arsyet e pasagurisë ekonomike, vlerëson FIO.
"Kërkojmë stabilitet dhe përgjegjësi të lartë për situatën në të cilën ndodhemi. Na pret një përkeqësim i papritur i situatës ekonomike në Evropë, që është pasojë e disa proceseve më të gjata që nuk mund të ndikojmë. Biznesi po përballet me pasiguri dhe sigurisht që do të ketë pasoja, veçanërisht nëse merret parasysh situata në Gjermani, e cila është partneri ynë më i madh tregtar. Ne po bëjmë gjithçka për të bindur strukturat në vend dhe në rajon, se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të rrisin bashkëpunimin e ndërsjellë, sepse janë të vogla. Duhet të bashkohemi dhe t'u themi liderëve politikë që me guxim të hyjnë në një investim që do të mundësojë një lloj përparimi", tha kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Ndodhemi, tha Azeski, përballë një ristrukturimi global që padyshim është i lidhur me sektorin energjetik.
Kryetari i FIO, Lulzim Rafuna për vitin 2025 paralajmëroi plan të ri.
"Në vitin 2025 do të hyjmë me një plan të ri. Do të fokusohemi në heqjen e të gjitha barrierave administrative, në promovimin sa më të madh të Ballkanit Perëndimor, si një mjedis miqësor biznesi, në sigurimin e ndihmës për kompanitë tona për të hyrë në treg, por edhe në gjetjen e tregjeve të reja, jashtë BE-së, në varësi të kërkesave të biznesit", tha Rafuna.
FIO, theksoi, është një mekanizëm shumë domethënës për të gjitha shtetet anëtare, është krijuar nga sektori privat dhe ka 375 mijë ndërmarrje që punësojnë rreth shtatë milionë të rinj.
Në fokusin e takimit të sotëm të 33-të të Bordit drejtues të FIO-s janë aktivitetet prioritare, duke marrë parasysh fillimin e zbatimit të Planit të ri të veprimit për Tregun e përbashkët rajonal. ls/
foto/video: MIA