• e enjte, 26 dhjetor 2024

Finlanda po ndërton një rrethojë: "Ne pamë se çfarë ndodhi në Ukrainë"

Finlanda po ndërton një rrethojë:

20 prill 2023

Dojçe Vele - Bon

Deri para pak vitesh më parë, rusët ishin mysafirë të mirëpritur në qytetin kufitar finlandez të Imatrës. Sot disponimi atje është krejtësisht ndryshe. Një instalim mbrojtës po ndërtohet përgjatë kufirit me Rusinë në rast se Moska do të zhvendosë trupat në perëndim.

Finlanda ka qenë prej kohësh një objektiv i sulmeve hibride të Moskës, por tani gjërat po bëhen edhe më serioze. "Ne e dinim se për rusët vija e kuqe ishte anëtarësimi ynë në NATO," tha Juha Martelius, i cili është zëvendësdrejtor i përgjithshëm për politikën e mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Finlandës. Ai shton se tani priten reagime të Moskës pasi flamuri finlandez bardheblu u valvit para selisë së NATO-s në Bruksel.

Askush nuk beson se gardhi i ri prej 200 km që Finlanda po ndërton përgjatë kufirit mund të pengojë një pushtim ushtarak nga Rusia. Ky nuk është qëllimi i qeverisë finlandeze, e cila ka vendosur të rrisë kapacitetet e saj për të ndjekur këtë rrugë.

"E pamë se çfarë ndodhi me Ukrainën"

Vitet e fundit, të gjitha vendet e BE-së dhe NATO-s në kufi me Rusinë ose Bjellorusinë i janë nënshtruar presionit intensiv të migracionit të organizuar drejtpërdrejt nga Moska. Letonia, Lituania dhe Polonia përjetuan krizën më të madhe të tillë në vitin 2021 dhe e njëjta gjë ndodhi në vitet 2015-2016 përgjatë kufirit finlandez në Lapland.

Lufta në Ukrainë nuk ishte një shkak i drejtpërdrejtë, por padyshim që i dha shtysë vendimit të ndërtimit të rrethojës. “E pamë se çfarë bëri Rusia në Ukrainë, pas fillimit të kësaj lufte gjithçka është e mundur”, thotë Martelius. Sipas tij, njerëzit në Finlandë kanë arritur në përfundimin se marrëdhëniet me rusët janë aktualisht në zero. "Nuk ka rëndësi se cili do të jetë rezultati përfundimtar në Ukrainë: në të ardhmen do të kemi marrëdhënie krejtësisht të ndryshme me Rusinë," thotë ai.

Qyteti Imatra është vendbanimi më i afërt me gardhin. Kryebashkiaku Matias Hilden pranon se njerëzit nuk janë entuziastë për projektin, por duhet ta pranojnë atë. Është pak e trishtueshme që na duhet një gardh”, tha kryebashkiaku për Dojçe Velen.

Njëherë e një kohë, rusët ishin të mirëpritur

Ai shpjegon se deri para dhjetë vjetësh askush nuk habitej kur dëgjonte të flitej rusisht në dyqane apo spa-qendra, ndërsa makinat me targa ruse ishin një pamje e zakonshme në rrugët e qytetit, i cili është vetëm 7 kilometra larg kufirit. “Në atë kohë, çdo e dyta pronë e shitur shkonte te një blerës rus dhe turistët rusë afatshkurtër sillnin të ardhura të sigurta në dyqane.

Kryebashkiaku sqaron se për shkak të masave kundër pandemisë, disa nga këto dyqane u detyruan të mbyllen dhe ndalimi i hyrjes së turistëve rusë pas fillimit të luftës kundër Ukrainës shkatërroi biznesin e disa tregtarëve. Të dëgjohet të flitet rusisht sot në qytet - sigurisht që do të shkaktojë dyshim të menjëhershëm. Dhe askush nuk shpreson që do të rikthehen  marrëdhëniet miqësore, thotë kryebashkiaku. “Është mirë të përgatitemi edhe për rreziqet e mundshme që na presin në të ardhmen”, shton ai.

Uilliam Denisiuk jeton prej kohësh në Imatra dhe për DV-në tha se bashkëqytetarët e tjerë kanë parandjenja edhe më të tmerrshme, madje edhe për një pushtim të mundshëm ushtarak rus. "Njerëzit janë nervozë," thotë Uilliam, duke folur për miqtë e tij që kurrë nuk u shqetësuan për të ardhmen e tyre këtu, por tani po mendojnë papritur nëse do të investojnë në prona që mund të përfundojnë në duar të huaja brenda një viti. Dhe kujton atë që ndodhi në Donbas, një pjesë të madhe të të cilit Rusia e pushton me pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të popullsisë së madhe rusishtfolëse atje.

"Duhet të jemi gati"

Pushtim rus - ky duket si një skenar i pamundur për Finlandën tani, por edhe Juha Martelius i Ministrisë së Mbrojtjes duket i shqetësuar. Para luftës, thotë ai, “ne e dinim se Rusia ishte e përgatitur të përdorte forcën ushtarake si mjetin e fundit. Tani e dimë se Rusia është e gatshme të përdorë forcën ushtarake jo vetëm si mjetin e fundit”.

Për të ndërtuar gardhin, duhet të priten pak pemë nga pylli. Njerëzit përgjatë kufirit punojnë nën mbikëqyrjen e kolonelit Mika Ritkonen, komandant i Rojës Kufitare Finlandeze. Sipas tij, aktualisht nuk ka asnjë shenjë se Rusia po planifikon ndonjë lloj sulmi ndaj Finlandës - ose të paktën jo "në të ardhmen shumë, shumë të afërt", siç thotë koloneli.

Në të njëjtën kohë, ai mbetet i kujdesshëm: "Por vallë e di dikush se çfarë do të bëjë Rusia në të ardhmen?" Unë personalisht nuk e di. Duhet të jemi gati”.

foto: printskrin nga video e shërbimit kufitar FINAX

QËNDRONI TË LIDHUR