• e enjte, 26 dhjetor 2024

Fillon Shkolla Verore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Maqedonase

Fillon Shkolla Verore e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Maqedonase

Ohër, 18 gusht 2023 (MIA) - Fillon shkolla e 56-të verore e Seminarit Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën maqedonase pranë Universitetit "Shën Cirili e Metodi" në Shkup (SNGJLKM).

Në Shkollën e cila do të zgjasë deri më 31 gusht, do të marrin pjesë rreth 70 maqedonasë dhe sllavë të huaj nga 18 shtete. Janë paraqitur seminaristë  nga RP e Kinës, SHBA, Republika e Koresë, Italia, Franca, Greqia, Turqia, Polonia, Sllovakia, Hungaria, Ukraina, Rumania, Federata Ruse, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Shqipëria dhe Republika Çeke.

"Përbërja e pjesëmarësve edhe njëherë konfirmon se po realizohet përcaktimi i SNGJLKM-së pranë USHCM-së, që gjuha maqedonase të jehojë në mbarë botën", thonë nga SNGJLKM.

Në mesin e seminaristëve edhe këtë vit do të ketë profesorë universitar, hulumtues nga bota sllave - gjuhëtarë, shkrimtarë, kulturologë dhe përkthyes letrarë.

Është konceptuar një program i cili pritet t'u ofrojë maqedonasve dhe sllavëve të huaj njohuri të reja për gjuhën, letërsinë dhe kulturën maqedonase dhe t'i inkurajojë ata për kërkime të mëtutjeshme për studimet maqedonase.

Në Shkollë do të mbahen 11 ligjërata nga studiues eminentë për tema të rëndësishme për gjuhën, letërsinë dhe kulturën maqedonase, e disa prej tyre do të jenë për nder të përvjetorëve të rëndësishëm për gjuhën dhe historinë maqedonase që po festohen këtë vit, si 120 vjet nga botimi i librit "Për çështjet maqedonase" të Krste Misirkovit, 120 vjet nga kryengritja e Ilindenit dhe 100 vjet nga lindja e Aco Shopov.

Në kuadër të Shkollës do të organizohet punëtori gjuhësore, ndërsa për seminaristët që janë të interesuar për folklorin maqedonas, tradicionalisht do të mbahet edhe kurs i vallëzimit maqedonas. Në kuadër të Shkollës do të mbahen promovime të librave të rëndësishëm, takime letrare dhe ngjarje interaktive, ndërsa seminaristët do të jenë mysafirë specialë në edicionin e 35-të të manifestimit tradicional ndërkombëtar "Nata e poezisë në Velestovë".

Shkolla organizohet me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, ndërsa një pjesë e aktiviteteve të programit do të realizohen edhe me mbështetje të Komunës së Ohrit.

Pas shkollës verore të 56-të paralajmërohet edhe Konferenca e 50-të shkencore ndërkombëtare e SNGJLKM pranë USHCM-së, e cila do të mbahet nga data 1 deri më 3 shtator në Qendrën e Kongreseve të USHCM-së në Ohër. sa/

Foto: SNGJLKM

QËNDRONI TË LIDHUR