• e premte, 27 dhjetor 2024

Filloi zbatimi i „One stop shop“ në vendkalimin kufitar Qafë Thanë

Filloi zbatimi i „One stop shop“ në vendkalimin kufitar Qafë Thanë

Strugë, 31 korrik 2023 (MIA) - Nga sot formalitetet kufitare dhe kontrollet doganore kryhen në kuadër të konceptit “One stop shop” me vetëm një ndalesë në pikën kufitare Qafë Thanë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në nisjen zyrtare të projektit morën pjesë kryeministrat e dy vendeve, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe ministrja e Infrastrukturës, Belina Baluku, si dhe ministra nga të dyja qeveritë, deputetë....

Sistemi i vendosur prej një sporteli për kontrolle të përbashkëta në anën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas kryeministrave të të dyja shteteve, do të nënkuptojë lehtësim të tregtisë së transportit dhe qarkullimit të udhëtarëve. 

"Kjo lehtëson punën e 11 mijë kompanive nga vendi ynë, të cilat janë të orientuara drejt eksportit dhe tregtisë me vendet e tjera. Në këtë mënyrë, ne tregojmë qasje më të lehtë në portet dhe pikat turistike në Shqipëri, por edhe në pikat turistike në Maqedoninë e Veriut. Më të bukurat janë këtu, vetëm pak kilometra nga ky vendkalim kufitar", tha Kovaçevski.

Ai përsëriti edhe një herë qëndrimin se Ballkani nuk ka nevojë për kufij dhe se bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Serbinë është në nivel jashtëzakonisht të lartë. Me fillimin e nismës Ballkani i Hapur, ai theksoi se tregtia me Shqipërinë është rritur për 40 për qind, ndërsa me Serbinë për 50 për qind, që sipas tij është përfitim dhe është në interes si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë.

"Nuk ndalemi këtu. Ajo që tashmë po punohet është një Korridor 8 krejtësisht i ri në të dy vendet. Është diçka që do të bëhet realitet në pesë vitet e ardhshme. Nëse karakteristika e infrastrukturës mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishte se ajo nuk ekzistonte, tani pas pesë vitesh do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Ne arritëm që korridorin 8 ta vendosim në hartën e korridoreve trans-evropiane dhe jemi duke punuar në projekte për ndërtimin e linjës hekurudhore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pra nga Kërçova deri në Lin. Do të mundësojë realizimin e asaj që kemi rënë dakord, që është që të kemi një port të thatë në Strugë në portin e Durrësit, i cili do të ketë efekte të mëdha pozitive për kompanitë në Maqedoni", tha Kovaçevski.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi në fjalimin e tij paralajmëroi se pas projektit të sotëm të suksesshëm, Qeveria do të vazhdojë me aktivitete edhe në vendkalimet e tjera kufitare. 

"Sot thyejmë një tjetër barrierë për komunikim më të lehtë dhe efikas mes nesh, i hapim rrugën një dimensioni të ri të bashkëpunimit duke lehtësuar dhe thjeshtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave midis vendeve tona. Shpreh mirënjohje ndaj të gjitha instancave institucionale në vendin tonë që kontribuan për realizimin e këtij projekti, ndaj autoriteteve në Republikën e Shqipërisë, për shkak se nuk u bënë as tre javë nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Shkup, kur u betuam bashkërisht se do ta realizojmë vendkalimin e përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë në Qafë Thanë dhe tash në më pak se tre javë kjo është realitet. Nuk do të ndalemi këtu! Të gjitha kufijtë tonë duhet të kenë “One-stop-shop”, si para-akt deri te largimi i kufijve përgjithmonë midis nesh", tha Grubi. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR