• e premte, 27 dhjetor 2024

Filloi takimi mes Radevit dhe Siljanovska Davkova

Filloi takimi mes Radevit dhe Siljanovska Davkova

Shkup, 13 shtator 2024 (MIA) - Filloi takimi pas dyerve të mbyllura i presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, publikoi Radioja kombëtare bullgare (BNR).

Ky është takimi i parë i presidentes Gordana Siljanovska Davkova me presidentin e Bullgarisë Rumen Radev pasi që në Romë, gjatë përkujtimit të vëllezërve Kirili e Metodi, nuk u realizua takim.

Sipas BNR-së, pas bisedës së dy presidentëve, priten deklarata.

Para vizitës së sotme me Siljanovska Davkovën, presidenti bullgar Radev deklaroi se pret përfundimisht të zgjidhen çështjet e hapura.

"Bullgaria gjithmonë ka qenë  e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik. Presim që Maqedonia e Veriut t'i përmbushë të gjitha obligimet edhe ndaj nesh edhe ndaj Bashkimit Evropian", deklaroi Radev.

Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka braktisur retorikën zgjedhore.

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore. Nevojitet të kthehemi në realitet, marrëdhëniet tona do të varen nga marrëveshjet e lidhura", tha Radevi.

Në prag të vizitës, kryeministri Hristijan Mickoski dje në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çka pret nga e njejta, përsëriti se shteti dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe se këtu nuk ka kurfarë dileme.

Ndërkohë, BNR-ja njoftoi se në Kuvendin bullgar, në përgjigje të pyetjes së deputetëve, ushtruesi i detyrës kryeministër i Republikës së Bullgarisë, Dimitar Gllavçev deklaroi se Qeveria bullgare nuk do të negociojë për ndryshimin e kushteve që Republika e Maqedonisë së Veriut t'i fillojë negociatat me BE-në.

"Nuk ka për çka të negociohet. Ne e kemi qëndrimin e Bullgarisë. Ata thonë se nuk do të negociojnë me qeveri teknike, por unë do të thoja se nga ana e jonë nuk ka vullnet për negociata, pasi nuk ka për çka të negociojmë. Ka pozitë të përbashkët evropiane. Të negociojnë me Bashkimin Evropian. Në Këshillin e fundit evropian deklarova se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbahet obligimeve të ndërmarra, të njëjtën gjë e tha edhe kryeministri i Greqisë, se Republika e Maqedonisë nuk e respekton Marrëveshjen e Prespës, ashtu që pozitën tonë e kemi parashtruar në nivelin më lartë të mundur", tha Gllavçev. 

Kjo është vizita e parë e Siljanovska Davkova prej se e ka marrë funksionin në maj të këtij viti. Ajo sonte në Sofje do të marrë pjesë në operën "Nabuko" nga Xhuzepe Verdi, e Operës dhe Baletit të Maqedonisë.

Në delegacionin  Maqedonisë së Veriut në Sofje sot janë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov. bsh/

Foto: Televizioni kombëtar bullgar

QËNDRONI TË LIDHUR