• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Filloi seanca në Gjykatën Kushtetuese, mungojnë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari

Filloi seanca në Gjykatën Kushtetuese, mungojnë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari

Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese sot mban seancën e 32-të ku ndër pikat e rendit të ditës janë iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, Ligjit në tërësi, si dhe 25 neneve veçmas të ligjit. Në seancë nuk marrin pjesë gjykatësit Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.

Menjëherë para votimit të rendit të ditës të propozuar për këtë seancë, gjyqtari Fatmir Skender propozoi që pika me iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve të shtyhet për shkak të mungesës së dy gjykatësve.

"Për këtë çështje më e dëshirueshme është që të gjithë të jemi të pranishëm për të kryqëzuar të gjitha argumentet dhe qëndrimet tona", tha gjyqtari Skender.

Gjyqtarët e tjerë nuk janë pajtuar me Propozimin dhe u votua që e njëjta të refuzohet. Argumentet e tyre ishin se nëse vendoset një praktikë të tillë, atëherë do të duhet të pritet edhe për lëndë tjera që të gjithë të jenë të pranishëm që siç u tha, do të bllokohet puna e gjykatës. Njëherësh, argumenti ishte se edhe për raste të tjera deri tani është vendosur në mungesë të gjyqtarëve të tjerë.

Pas vendimit, gjyqtari Fatmir Skender vendosi të mos marrë pjesë në seancën e pikës së parë të rendit të ditës, pra për iniciativat për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

"Për shkak të pamundësisë që mendimet e mia të dëgjohen nga gjyqtarët që mungojnë, unë nuk do të marr pjesë në seancën për pikën e parë", ka thënë gjyqtari Skender.

BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”. Lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, ndërsa është formuar në vitin 2019 dhe është aktualizuar këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Lidhur me iniciativat, Gjykata Kushtetuese mund t'i refuzojë, të vendosë ngritjen e procedurës për ligjin në tërësi ose vetëm për pjesë të tij, të ndalojë përkohësisht zbatimin e tij deri në marrjen e një vendimi përfundimtar ose ta dërgojë për përpunim në Kuvend.

Parashtrues të iniciativave për kontestimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë partitë VMRO-DPMNE dhe E Majta, Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas”, Sollza Gërçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, si dhe Vasko Lazeski, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Brzanovska dhe Vlladimir Stefanovski. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë gjyqtarë, gjashtë prej të cilëve janë maqedonas dhe tre nga bashkësitë më të vogla etnike - dy shqiptarë dhe një turk.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR