• e diel, 29 dhjetor 2024

Filloi ndërtimi i unazës së Tetovës, investim prej 12 milionë eurosh për një rrugë 5,4 kilometra

Filloi ndërtimi i unazës së Tetovës, investim prej 12 milionë eurosh për një rrugë 5,4 kilometra

Tetovë, 13 shkurt 2024 (MIA) - Dymbëdhjetë milionë euro do të investohen në unazën rreth Tetovës në gjatësi prej 5,4 kilometra në shtrirjen nga unaza “Trebos” deri në Neproshteno, ndërtimi i së cilës filloi sot në prani të kryeministri teknik, ministra, deputetë dhe përfaqësues të vetëqeverisjes lokale.

"Ndërtimi i kësaj unaze është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të shkarkojmë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit", tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski.

Ai theksoi se investimi në vlerë prej mbi 12 milionë euro është një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e rrjetit rrugor në mbarë vendin dhe do të jetë një lehtësim i madh për të gjithë qytetarët nga Tetova, Zhelina, Tearca, Jegunovca dhe të gjitha vendet tjera që janë të lidhura me këto komuna.

Mjetet janë siguruar nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore NPRRSH si pjesë e programit vjetor të investimeve. "Është planifikuar të ndërtohen 5,4 kilometra rrugë, përkatësisht unaza do të ketë dy korsi nga të dyja anët me gjerësi totale 6.60 metra. Në të dy anët e rrugës do të ketë rrugë paralele shërbimi tampon në të gjithë gjatësinë e segmentit me gjerësi rreth tre metra, informoi drejtori i NPRRSH Rustemi.

Kryeministri teknik, Talat Xhaferi, gjithashtu e theksoi rëndësinë e projektit dhe se mjetet e rënda të mallrave do të largohen nga rrugët e zonës qendrore të qytetit, gjegjësisht transportuesit do të lëvizin në një rrugë moderne dhe të sigurt, e me këtë do të jenë të mbrojtur edhe qytetarët.

Në pyetjen e një gazetari për prezencën e tij si kryeministër teknik në promovimin e një projekti kapital, Xhaferi tha se një nga obligimet e Qeverisë është organizimi i zgjedhjeve dhe se i ka të gjitha kompetencat sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe do t'i përmbushë të gjitha aktivitetet dhe kompetencat.

“Zgjedhjet nuk janë shpallur, interpretoni si të doni, unë jam duke i kryer obligimet e mia të përditshme”, tha Xhaferi, i pyetur nëse ngjarja është fushatë parazgjedhore.

Në kuadër të këtij projekti, siç bëri të ditur Rustemi, janë paraparë disa objekte, si rrethrrotullimi, mbikalimi mbi hekurudhë. Ka filluar edhe procesi për shpronësim, ndërsa afati për kryerjen është 15 muaj pas futjes në punë të kontraktorit, pra ndërtimi duhet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm. Kjo është faza e parë për realizimin e projektit dhe faza e dytë parashikon ndërtimin e unazës Trebosh, për të cilin ka nisur projektimi. Unazën do ta ndërtojë SHN "Granit". ls/

QËNDRONI TË LIDHUR