• e enjte, 26 dhjetor 2024

Filloi ndërtimi i objektit të shkollës "Sami Frashëri" në Kumanovë

Filloi ndërtimi i objektit të shkollës

Kumanovë, 27 maj 2024 (MIA) - Ka filluar ndërtimi i objektit të ri shkollor të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, kumtoi sot kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Mjetet për ndërtim janë siguruar nga Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komuna e Kumanovës.

"Ka filluar ndërtimi i objektit të ri shkollor të gjimnazit 'Sami Frashëri' në Kumanovë, projekt ky i realizuar nga MASH-i në bashkëpunim me komunën e Kumanovës", informon Dimitrievski.

Qeveria më 30 gusht të vitit të kaluar ka marrë vendim që të fillojnë aktivitetet për ndërtimin e objektit për nevojat e nxënësve të kësaj shkolle. Sipas vlerësimeve të asaj kohe projekti total ka kushtuar 120 milionë denarë dhe duhet të përfundojë brenda tre vitesh.

"Vendimi i qeverisë parasheh mjete në vlerë prej 48 milionë denarë në buxhetin e MASH-it për vitin 2023 dhe 70 milionë denarë shtesë në vitin 2024. Objekti do të ndërtohet në truallin në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vendndodhje në ish kazermën e Kumanovës", informoi në atë kohë Qeveria.

Sektori për urbanizëm nga komuna e Kumanovës në janar të këtij viti ka dhënë miratim për ndërtimin e shkollës së mesme "Sami Frashëri", objekti shkollor do të vendoset në ish kazermën "Hristijan Todorovski Karposh" në lagjen Bedinje, ku veçmë është në funksion dhe shkolla e mesme "Pero Nakov" me mësim në gjuhën shqipe.

Gjenerata të tëra nxënësish kanë ndjekur mësimin në kushte joadekuate në ish ndërtesën e administratës "ZIK", në një nga bulevardet më të frekuentuara të qytetit. rq/

Foto: Komuna e Kumanovës dhe MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR