• e enjte, 26 dhjetor 2024

Filloi me punë grupi punues për reformat zgjedhore

Filloi me punë grupi punues për reformat zgjedhore

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndërsa më pas edhe hartimi i kodit të ri zgjedhor do të jetë në fokus të grupit punues për reforma në legjislacionin zgjedhor, i cili u konstituua sot në Klubin e Deputetëve.

"Kemi një konsensus që ky grup pune të inkorporojë të gjitha këto rekomandime dhe vëzhgime nga OSBE/ODIHR. Modeli nuk është prioriteti ynë, na mbetet vetëm të kemi një tekst të ri, të rafinuar të këtij Kodi Zgjedhor, si dhe të futen të gjitha këto vërejtje. Kjo është detyra e parë e grupit punues, ndërsa e dyta është hartimi i Kodit të ri Zgjedhor, tha ministri i Drejtësisë Krenar Lloga pas përfundimit të takimit të parë të grupit punues, duke i uruar punë të suksesshme Aleksandar Novakovskit, ekspert dhe ish-anëtar i KSHZ-së, i cili u zgjodh kryetari i grupit punues.

Ai theksoi se sa i përket rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, VMRO-DPMNE-ja tashmë ka njoftuar për qëndrimin e tyre se do të votojnë për këto ndryshime, ndërsa për modelin zgjedhor do të merren parasysh qëndrimet e tyre. Lloga i bëri thirrje edhe një herë partisë opozitare që të emërojë përfaqësuesin e saj në grupin punues.

Novakosvki deklaroi se është optimist për sa i përket punës së grupit punues.

VMRO-DPMNE nuk e delegon përfaqësuesin e saj në grupin punues. Deputeti nga radhët e kësaj partie, Antonio Milloshoski, dje tha se pranojnë model zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe i bëri thirrje qeverisë që të gjejë një zgjidhje, pas së cilës paralajmëroi se partia opozitare do të përfshihet në përcaktimin e tekstit përfundimtar të kodit zgjedhor.

"Nëse qeveria nuk është gati për ndryshime thelbësore për demokratizim më të madh të modelit zgjedhor, ndërsa ndryshimet i referohen vetëm disa vërejtjeve teknike, të rëndësishme, por gjithsesi teknike të dhëna nga OSBE dhe ODIHR, ne i mbështesim, nuk kemi asgjë kundër, por ne nuk do të merrnim pjesë në atë proces vetëm për t'i dhënë legjitimitet politik pa pasur një përmirësim të konsiderueshëm të modelit zgjedhor", tha Milloshoski.

Përveç përfaqësuesve të partive, në grupin punues do të përfshihen edhe anëtarë nga MPB, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, MOST, Civil, Polio Plus, UVMK, Enti Shtetëror i Statistikave, Regjistri Qendror, Gjykata Administrative, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, Instituti Kombëtar Demokratik, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR