Filloi debati plenar për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024
- - Kuvendi në kuadër të mbledhjes së 12-të e filloi debatin për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024 i cili mund të zgjasë më së shumti tri ditë. Me Propozimin fillestar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 të ardhurat e përgjithshme ishin planifikuar në nivel prej 318,2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 362,8 miliardë denarë. Rritja e PBB-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 4,9 për qind. Komisioni për financim dhe buxhet gjatë debatit për amandamentet për ribalancin e Buxhetit pranoi dy amandamente, për pagesën e administratorëve të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, si dhe për reklamim të paguar politik.
- Post By Fitore Curri
- 15:26, 12 gusht, 2024
Shkup, 12 gusht 2024 (MIA) - Kuvendi në kuadër të mbledhjes së 12-të e filloi debatin për ribalancin e Buxhetit për vitin 2024 i cili mund të zgjasë më së shumti tri ditë. Me Propozimin fillestar për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 të ardhurat e përgjithshme ishin planifikuar në nivel prej 318,2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 362,8 miliardë denarë. Rritja e PBB-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 4,9 për qind. Komisioni për financim dhe buxhet gjatë debatit për amandamentet për ribalancin e Buxhetit pranoi dy amandamente, për pagesën e administratorëve të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, si dhe për reklamim të paguar politik.
Me amanadamentin e parë të miratuar janë paraparë 318 milionë denarë për administratën zgjedhore, ndërsa me të dytin 32,169 milionë denarë për reklamim të paguar politik, mjete të cilat janë të dedikuara për pagesë të detyrimeve ligjore.
Siç informon në ekspozenë ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska, gjithashtu, Qeveria përmes rialokimit siguroi mjete për më shumë komisione, agjenci, këshilla, inspektorate, ministri dhe komuna, si dhe për avokatin e popullit dhe për shënimin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ribalancin e Buxhetit për vitin 2024 Dimitrieska Koçoska e vlerësoi si përpjekje të Qeverisë së re që të sigurojë likuiditet për servisim të rregullt të të gjitha detyrimeve deri në fund të vitit njëkohësisht me sigurim të funksionimit normal të institucioneve dhe realizim të projekteve të cilat kanë dinamikë adekuate.
"Me ribalancin e propozuar korrigjojmë lëshimet e bëra me Buxhetin fillestar, siç janë mjetet e planifikuara të pamjaftueshme për të drejtat që parashikohen me ligj, fondet për servisimin e detyrimeve të vonuara dhe mjetet për mbështetjen e ekonomisë. Kjo nënkupton sigurimin e rregullt të pagesave të pagave, të cilat do të harmonizohen sipas ligjit në shtator, sigurimin e pagesës së rregullt të pensioneve dhe realizimin e premtimit tonë zgjedhor për rritje lineare të pensioneve në shtator, shlyerjen e obligimeve dhe mos vonesa të tyre", tha Dimitrieska Koçoska.
Këtë, siç tha, e kërkon ekonomia, në të cilën krahas kredisë së favorshme të paralajmëruar për realizim të investimeve do të injektohen gjashtë miliardë denarë përmes angazhimit të tyre në realizimin e projekteve në nivel lokal.
"Ai është një prej faktorëve me të cilët duam ta mbështesim ekonominë, e cila siç tregojnë të dhënat shënoi rezultate të dobëta në gjysmën e parë të vitit", potencoi Dimitrieska Koçoska.
Paraprakisht pa debat Kuvendi i miratoi gjashtë pikat e para të rendit të ditës së seancës. fc/
Fotografia: Printskrin