• e enjte, 26 dhjetor 2024

Filipçe për 100 ditë Qeveri: Premtime të mëdha të paplotësuara për zhgënjime më të mëdha

Filipçe për 100 ditë Qeveri: Premtime të mëdha të paplotësuara për zhgënjime më të mëdha

Shkup, 1 tetor 2024 (MIA) - Morëm një Qeveri nga e cila dëgjojmë vetëm arsyetime dhe akuza të paraardhësve për paaftësinë e tyre. Një qeveri që kryen partizim brutal me kuadër të paaftë dhe skandale të përditshme të ministrave. Nuk ka përgjegjësi për politikanët dhe zyrtarët, dhe e vërteta është zëvendësuar me propagandë të vazhdueshme, deklaroi kryetari i LSDM-së Venko Filipçe në konferencën e sotme për media me rastin e 100 ditëve të para të punës së Qeverisë.

Filipçe theksoi se pritjet e qytetarëve për shkak të premtimeve me të drejtë ishin të mëdha dhe se kryeministri Hristijan Mickoski premtoi administratë profesionale, sistem meritash, paga më të larta, luftë të fortë kundër krimit dhe korrupsionit. Mickoski, siç theksoi, u premtoi politikanëve përgjegjësi dhe politikë të jashtme të mençur që do të na bënte sërish krenarë.

"Deri më tani nuk kanë realizuar asnjë nga këto premtime dhe mospërmbushja e premtimeve të mëdha sjell edhe zhgënjime të mëdha. Nuk ka rritje të pagës minimale në 450 euro, që do të ishte realitet sot me LSDM-në. Ata thonë se nëse ekonomia do të shkonte mirë, atëherë pagat mund të ishin rritur. Mësimdhënësit dhe punonjësit e arsimit morën rritje prej 0,7 për qind në vend të 12 për qind të planifikuar nga LSDM. Po bëhet një degradim i plotë i punëtorëve dhe i të drejtave të tyre. Për fat të keq, politika e fuqisë punëtore të lirë është kthyer. Pagat po bien, standardi po ulet, e as Qeveria nuk ka siguruar mbrojtje për qytetarët nga çmimet e larta dhe lakmia e tregtarëve", tha kryetari i LSDM-së, duke theksuar se masat janë të vonuara dhe pa efekt.

Filipçe theksoi se për 100 ditë, nuk ka asnjë gjurmë të krimit epik të cilin gjoja do ta dëshmonin.

Në vetëm njëqind ditë, theksoi ai, dështuan edhe premtimet për reforma në drejtësi. -Kanë premtuar shpërbërjen e këshillave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, megjithëse e dinin shumë mirë që nuk munden dhe nuk duhet ta bëjnë këtë. VMRO-DPMNE nuk ka ofruar një ide dhe koncept real se si planifikon të përmirësojë gjendjen në gjyqësor, edhe pse ka premtuar shumë, shtoi ai.

Siç thekson Filipçe, nuk ka "gjurmë nga diplomacia e mençur që duhej të na bënte sërish krenarë dhe VMRO-DPMNE-ja i zhgënjeu të gjithë për këtë çështje".

"VMRO-DPMNE për 100 ditë e minoi të ardhmen evropiane të shtetit dhe e la vendin në thellësinë e Ballkanit. As nuk ofroi rrugë të qartë për të shkuar përpara, as nuk ofroi alternativë. Mickoski vendosi t'i ndërpresë negociatat me Unionin sikur shteti të jetë i tij. Ai nuk ka as mandat as të drejtë ta bëjë këtë", tha ai.

Filipçe thekson se në muajt e parë të Qeverisë së re nuk ka parë asnjë projekt konkret ose reforma në interes të qytetarëve. sa/

Foto: LSDM

 

QËNDRONI TË LIDHUR