• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Filipçe: Do t'ia kthejmë dinjitetin partisë, vijon periudhë e riorganizimit, reformës dhe ripërtëritjes së LSDM-së

Filipçe: Do t'ia kthejmë dinjitetin partisë, vijon periudhë e riorganizimit, reformës dhe ripërtëritjes së LSDM-së

Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) - Venko Filipçe është kryetar i ri i LSDM-së në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme brendapartiake me mbi 9.000 vota nga gjithsej 12.600 votues apo 54 për qind nga 23.000 të regjistruar.

"Sonte LSDM ka kryetar të ri. Në një procedurë të drejtë dhe demokratike të zgjedhjeve të brendshme partiake, socialdemokratët zgjodhën dr. Venko Filipçen për kryetar të LSDM-së. Pas përfundimit të votimit në orën 20, në 77 qendra votimi arritën rezultatet preliminare të cilat janë 95 për qind të përpunuara. Prej tyre Filipçe ka 9.052 vota, Aleksandar Bajdeski 905, Jovan Despotovski 2.705 dhe Sllavjanka Petrovska 190 vota. Të pavlefshme janë 174 vota. Rezultatet përfundimtare do t'i shpallim brenda 48 orëve pas skadimit të afatit për ankesa", deklaroi kryetarja e Komisionit qendror të zgjedhjeve të LSDM-së, Viktorija Avramovska Madiq.

Filipçe deklaroi se LSDM-ja ka dëshmuar se ka kapacitet demokratik dhe nivel të lartë të profesionalizmit.

"Vlerësoj se është zhvilluar një proces zgjedhor legjitim. Dua të përgëzoj edhe bashkëpartiakët e mi që ishin pjesë e kësaj gare zgjedhore. Më vjen mirë që patëm zgjedhje konkurruese me shumë kandidatë. Nga kjo fushatë besoj se të gjithë mësuam diçka dhe kontributi i secilit ishte i rëndësishëm, LSDM-ja edhe një herë dëshmoi kapacitetin e saj demokratik të cilin si kryetar i ardhshëm do ta ushqej dhe avancoj", tha Filipçe duke falënderuar të gjithë ata që votuan në zgjedhje.

Ai theksoi se nuk ka kohë për të festuar, por se tani është koha për ripërtëritjen e LSDM-së dhe se i pret shumë punë.

"Vijon periudhë e riorganizimit dhe reformimit konform premtimeve të mia programore me të cilat jam i sigurt se LSDM do të fitojë sërish. Kjo nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë, por unë e di se nuk ka mënyrë tjetër për ta rikthyer besimin e anëtarëve tanë përveçse të bëjmë ndryshime të vërteta thelbësore. Ndryshimet as nuk mund t'i falsifikojmë e as t'i bëjmë gjysmake, por reale dhe të sinqerta që dalëngadalë të fitojmë zemrat e qytetarëve", tha Filipçe, sipas të cilit nëse kanë sukses në këtë, atëherë partia do të jetë edhe më e fuqishme dhe do të vazhdojë të jetë një motor i progresit shoqëror.

Ai theksoi se është koha që të lihen mënjanë interesat personale dhe të angazhohemi dhe të sjellim vendime për të mirën e përbashkët.

"Premtoj se partisë do t'ia kthejmë dinjitetin, ndërsa ata që shpresojnë në një të ardhme të keqe u them - do të zhgënjehen thellë. Premtoj se do të jemi një opozitë e fuqishme, do të luftojmë me të gjitha forcat për të parandaluar politikat e këqija të qeverisë dhe do të jemi korrigjues në shoqëri. LSDM gjithmonë ka zgjedhur anën e progresit, demokracisë, shtetësisë dhe vlerave evropiane, andaj duhet të vazhdojmë të ecim drejt asaj rruge, duhet të luftojmë që qytetarët ta njohin këtë tek ne, sepse kjo do të thotë fitore për LSDM-në", tha Filipçe.

Premtoi se si lider nuk do të bëjë përçarje por do të bashkojë, do të kundërshtojë fuqishëm ata që duan të dobësojnë partinë në llogari të interesit personal, se LSDM do të jetë parti e hapur dhe e gatshme për sfidat e ardhshme.

Kandidati për kryetar të LSDM-së, Jovan Despotovski, pas shpalljes së rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja dhe fitores së Filipçes tha se nuk mund të flas për kryetar të zgjedhur të LSDM-së me 9.000 vota, kur rreth 10.000 anëtarë të regjistruar nuk kanë votuar.

Despotovski kërkoi nga KQZ-ja që të përgjigjet në pyetjen se pse mbi dhjetë mijë anëtarë të regjistruar nuk kanë dalë të votojnë dhe pse anëtarët e regjistruar në mënyrë të rregullt nuk janë lejuar të votojnë në vendvotime. Ai paralajmëroi se ekipi i tij nesër do të paraqesë ankesë për vërejtjet e konstatuara.

null

"Nuk mund të flasim për kryetar të zgjedhur të një partie, kur 10.000 persona kanë mbetur jashtë dhe ne kemi të kryetar të zgjedhur me 9.000 vota. Anëtarë të LSDM-së që janë paraqitur në vendvotime dhe nuk kanë mundur të votojnë nuk janë pak. Këtë nuk mund ta lejojë LSDM-ja, nëse vërtet duam të tregojmë se çdo anëtar është i rëndësishëm për ne", tha Despotovski.

Lidhur me rezultatin e votimit të sotëm, Despotovski tha se nuk ka koment dhe shtoi se prezantimi para mediave se Filipçe është kryetar i ri i partisë është jo korrekte.

"Si shok gëzohem për Venkon, sepse është shoku im, por nuk jam i lumtur për LSDM-në. Hapësira sot është bosh dhe kjo nuk është në rregull, kjo flet shumë për ne", tha Despotovski.

Kandidati për kryetar të LSDM-së, Aleksandar Bajdevski uroi zgjedhjen e Filipçes dhe porositi se partia nga nesër duhet të fillojë me punë.

Ndërsa, ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputete aktuale Sllavjanka Petrovska një ditë para zgjedhjeve tërhoqi kandidaturën e saj për kryetare të partisë.

Foto: LSDM/MIA

QËNDRONI TË LIDHUR