• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Fetai: Reformat e administratës publike prioritet i lartë në agjendën e BE-së të Qeverisë, qëllimi është përforcimi i luftës kundër korrupsionit

Fetai: Reformat e administratës publike prioritet i lartë në agjendën e BE-së të Qeverisë, qëllimi është përforcimi i luftës kundër korrupsionit

Shkup, 6 nëntor 2024 (MIA) – Reformat në administratën publike janë me prioritet më të lartë të Qeverisë në kuadër të agjendës të cilën e kemi miratuar bashkë me BE-në dhe do të miratohen me pjesëmarrje edhe të sektorit civil, me qëllim të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit, thotë zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai.

“Për ne, siç e dini, reformat e administratës publike janë prioriteti më i lartë si Qeveri, por janë edhe prioriteti më i lartë brenda agjendës që kemi miratuar së bashku me BE-në. Fatkeqësisht, më duhet të them se ne kemi trashëguar një situatë shumë të vështirë sa i përket administratës publike të një administrate të mbingarkuar të politizuar dhe joefektive. Ne si Qeveri e re jemi për reforma dhe ndryshime sistematike dhe për miratimin e disa ligjeve në drejtim të reformës së administratës publike, siç është ligji për punonjësit e administratës publike dhe punonjësit e administratës. Ajo që dua të them është se ligjet nuk na mungonin në të kaluarën, por ajo që mungonte ishte gatishmëria për t'i zbatuar ato. Prandaj, së bashku me të gjithë aktorët politikë, me shoqërinë civile, me faktorin ndërkombëtar, do të përpiqemi të bëjmë reforma vërtet të thella në administratën publike”, thotë zëvendëskryeministri Fetai, i cili sot mori pjesë në Platformën Rajonale Veber për Reformën e Administratës Publike, organizuar nga Instituti për Politika Evropiane - EPI, nga Shkupi.

Ai potencoi se me këto reforma në administratën publike, do të fuqizohet edhe lufta kundër korrupsionit në nivel më të ulët e cila ishte dukuri e përhershme gjatë periudhës së kaluar, ndërsa gjithashtu do të përforcohen edhe shërbimet të cilat u ofrohen qytetarëve përmes digjitalizimit të përgjithshëm të shërbimeve dhe të administratës publike. 

I pyetur nëse reforma do të nënkuptojë edhe ulje të numrit të administratorëve publikë, Fetai theksoi debatet publike të ligjeve për administratën publike të cilat janë në vijim të cilat i zbaton Ministria e Administratës Publike, dhe nga të cilat do të dalin zgjidhje të cilat do të propozohen gjatë diskutimit. 

“Sa më takon mua, e kam thënë tashmë se kemi një administratë të mbingarkuar, të politizuar dhe joefektive. Ka shumë institucione ku ka shumë pak punonjës. Ne besojmë se ato duhet të shkrihen për të pasur institucione më të centralizuara, më efikase dhe më të përgjegjshme. Tashmë e kemi miratuar Ligjin për organet publike dhe tre ligjet që përmenda më herët do të kalojnë edhe në drejtim të reformës së administratës publike. Shpresoj se do të bëhet deri në fund të vitit. Po ashtu, siç janë edhe angazhimet tona për të bërë reformat e duhura në drejtësi në lidhje me Kodin Penal, dhe gjithçka që është synim i kësaj kornize në rrugën tonë drejt BE-së”, theksoi Fetai.

Lidhur me kërkesat e sindikatave për pranimet në administratë, përkujtoi takimin e djeshëm të cilin e patën me kryeministrin Hristian Mickoski dhe ministri i shëndetësisë me sindikatën, dhe tha se janë të hapur për sugjerimet dhe rekomandimet edhe të sindikatave dhe të shoqërisë civile. Qëllimi është thotë, të përmirësohet situata, mes tjerash edhe me pagat sepse, thotë, me të vërtetë ka paga të cilat nuk janë të mjaftueshme për jetë dinjitoze të qytetarëve. 

Ngjarja e sotme përfshin edhe panel diskutim për trendet më të reja dhe zhvillimin e ngjarjeve në reformën në administratën publike në Ballkanin Perëndimor dhe BE me ekspertë dhe shkencëtarë me renome përgjatë rajonit dhe më gjerë. 

“Në ngjarjen e sotme do të diskutojmë se si reforma në administratën publike duhet të trajtohet si një çështje horizontale në të gjitha politikat në vend, në vend që të shihet nga anash. Ky projekt mbështetet nga BE-ja në kuadër të iniciativës Veber, e cila ekziston prej dhjetë vitesh dhe mbron përfshirjen më të madhe të të gjithë aktorëve në shoqëri në reformat që lidhen me administratën publike, veçanërisht me fokus shoqërinë civile. Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë presion mbi institucionet shtetërore që të përfshijnë të gjithë aktorët në mënyrë që të ofrohen shërbime më të mira dhe të kemi administratë publike më të mirë”, tha drejtoresha e Institutit EPI, Simonida Kacarska.

Në ngjarje mori pjesë edhe euroambasadori Mihail Rokas, zëvendësministri i administratës publike Llaze Jakimovski dhe drejtoresha e Qendrës për Politikë Evropiane nga Beogradi, Milena Mihajlloviq. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR