Fetai: Qeveria do të angazhohet për konfiskimin efikas të aseteve të paligjshme
- Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, sot mbajti fjalim në Takimin rajonal për politikat e kthimit të aseteve të paligjshme në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Budvë të Malit të Zi.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 17:03, 25 nëntor, 2024
Shkup, 25 nëntor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, sot mbajti fjalim në Takimin rajonal për politikat e kthimit të aseteve të paligjshme në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Budvë të Malit të Zi.
Fetai, siç bëri të ditur Kabineti i tij, e ka theksuar nevojën për veprime të koordinuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke vënë në dukje rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe trajtimit të transakcioneve të paligjshme financiare që minojnë demokracinë dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Ai prezantoi përparimin e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë miratimin e tre ligjeve të rëndësishme për konfiskimin dhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara, si dhe Strategjinë për hetime financiare dhe honfiskimin e pasurive 2024–2028, e cila është në fazën përfundimtare.
Megjithë progresin, Fetai theksoi se rezultatet e vitit 2023 tregojnë një rënie të vlerës së pasurive të ngrira dhe të konfiskuara krahasuar me vitin 2022. Në vitin 2022, vlera e pasurive të ngrira arriti gati 40 milionë euro, ndërsa pasuritë e konfiskuara ishin rreth 28 milionë euro. Në vitin 2023, pasuritë e ngrira ranë në vetëm 1.69 milionë euro, ndërsa ato të konfiskuara ishin rreth 18 milionë euro
"Këto shifra janë një thirrje për zgjim dhe na kujtojnë për nevojën për të ndryshuar qasjen", deklroi zëvendëskryeministri për Politika të Qeverisjes së Mirë.
Fetai njoftoi krijimin e Këshillit Kombëtar për hetime financiare për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe konfirmoi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit aktiv me shoqërinë civile.
"Askush nuk është mbi ligjin. Me vullnet të fortë politik dhe bashkëpunim ndërkombëtar, mund të luftojmë rrjetet kriminale dhe t’i çojmë autorët e korrupsionit përpara drejtësisë", përfundoi Fetai, duke falënderuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë për organizimin e kësaj ngjarrje.
Kabineti i Zëvendëskryeministrit për Politika të Qeverisjes së Mirë