Fetai: I bëjë thirrje Grubit të kthehet nëse është i pastër si loti
- Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në intervistë për gazetën Lajm tha se i bënë thirrje Grubit që të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë.
- Post By Besnik Shuki
- 18:22, 17 dhjetor, 2024
17 dhjetor 2024
Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në intervistë për gazetën Lajm tha se i bënë thirrje Grubit që të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë.
“I bëjë thirrje Artan Grubit që të kthehet në vend dhe të dëshmojë pafajësinë e tij para organeve të gjyqësisë, si në çdo vend tjetër edhe te na ka kushte për perzumim të pafajësisë. Nëse ai ndjehet i pastër si loti e rrugës është të kthehet pa kushte të përballet me aktakuzën të cilën veçmë i është ngritur”, tha zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Fetai shtoi tutje që Grubi e ka edhe më të lehtë të përballet me drejtësinë pasi një kohë të gjatë BDI ka instaluar në gjykata njerëzit e tyre. Prandaj, sipas Fetait ai duhet të kthehet sepse i ka përreth njerëzit e tij në gjyqësi. Fetai thotë që partia që kërkon veting në drejtësi ikë në momentin e parë nga përballja me drejtësinë.
Futja e Grubit në listë të zezë është fillimi i një orteku për qindra raste të krimit e korrupsionit
Fetai, futjen e Grubit në listë të zezë e cilësoi si një fillim i një orteku të qindra rasteve tjera të krimit dhe korrupsionit të pushtetit të kaluar.
“Futja e Artan Grubit në listë të zezë nuk është gjë tjetër pos fillim i një orteku që qindra rasteve tjera të krimit dhe korrupsionit të instaluar nga pushteti i kaluar. Pra, ftuja e Grubit në listë të zezë dëshmon atë që e kemi thënë vazhdimisht që BDI është forcë thellësisht antievropiane, e thellësish e orientuar në shërbim të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve”, tha zëvendëskryeministri Fetai.
U vërtetua ajo që kemi thënë, BDI në shërbim të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve
Zëvendëskryeministri futjen e Grubit në listë të zezë e komentoi në atë formë duke thënë se ndodhi ajo për të cilën kemi folur vazhdimisht sepse kjo parti është në shërbim të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve.
“Ndodhi ajo për të cilën kemi folur vazhdimisht tashmë u dëshmua me fakte se BDI ka qenë në shërbim të shërbimeve antishqiptare. Ne e dimë se Mijallkov qëndron pas gjitha rasteve të montuara, abuzimeve të shqiptarëve, keqpërdorimeve e të tjera. E pikërisht këtij personi i kanë shërbyer Grubi dhe BDI”, tha zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Ali Ahmeti e mori mesazhin nuk ka kredibiliteti të flas për SHBA
Fetai në intervistë tha se Ahmeti e ka marrë mesazhin e duhur që tani me vulë është dëshmuar se BDI është parti antiamerikane.
“Ali Ahmeti nuk ka më kredibilitet të flas as për SHBA-të, as për integrimin evropian sepse është sinjal i qartë që ky kryetar bashkë me partinë e tij kanë punuar kundër interesave amerikane prandaj edhe janë futur në listë të zezë”, tha zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Ai mes tjerash tha se Kurti është shembulli më i mirë në luftën kundër korrupsionit prandaj edhe nuk ka vullnet për tu takuar me Ali Ahmetin që është shembulli më i keq i korrupsionit.
VLEN bashkë në zgjedhjet lokale do ta fitojmë bindshëm BDI-në
Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në intervistë për gazetën Lajm tha se koalicioni VLEN vetëm po shkon e po fuqizohet edhe më shumë në nivel të bashkëpunimit të frytshëm.
“Koalicioni VLEN ka formuar trupat koordinues, jemi duke funksionuar për mrekulli, kemi bashkëpunim të frytshëm. Ajo që është e sigurt është fakti se VLEN shkojmë bashkë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët e më e sigurt se kjo është fakti që do të fitojmë bindshëm sepse përballë kemi një parti të diskredituar me rënie të lirë”, tha zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Po ndodhë ajo për të cilën jemi angazhuar nga fillimi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit
Fetai komentoi ngjarjet e fundit me çka tha se nuk po ndodhë asgjë e paprtishme, pasi për këtë jemi angazhuar që nga dita e parë ta luftojmë krimin dhe korrupsionin.
“Kemi thënë që nga dita e parë që jemi duke hetuar abuzimet, keqpërdorimet, korrupsionin, kemi grumbulluar në sistemin tonë të drejtësie qindra raste. Të cilat janë hetuar nga organet kompetente si policia financiare e të tjera, dhe pamë që me futjen e Artan Grubit, dhe gjyqtarit Bexheti kuptojmë që diçka nuk ka funksionuar me sistemin e drejtësisë”, tha zëvendëskryeministri, Arben Fetai.
Fetai shtoi se edhe në vazhdimësi do të ketë llogaridhënie, drejtësi dhe përgjegjësi për secilën gjë që ka ndodhur në të kaluarën dhe që do të ndodhë edhe sot e tutje.
_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________