• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Festivali "Teatri shqiptar në Maqedoni" në Dibër nga data 25 deri më 30 shtator

Festivali

Dibër, 16 shtator 2024 (MIA) - Në Qendrën për kulturë në Dibër prej 25 deri në 30 shtator do të mbahet Edicioni i 23-të i festivalit "Teatri shqiptar në Maqedoni".

Në këtë manifestim i cili mbahet rregullisht në Dibër, siç informon për MIA-n drejtori i festivalit, Ilber Nuredini para publikut do të prezantohen shtëpitë teatrore nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Durrësi, Podujeva dhe Presheva.

Pas një periudhe më të gjatë do të ketë shfaqje edhe në gjuhën maqedonase.

Para dibranëve më 28 shtator në ora 19:30, do të shfaqet Teatri Kombëtar i Maqedonisë-Shkup me shfaqjen “Gënjeshtra” nga Florian Zeller me regji të Besfort Idrizit.

Festivali do të hapet zyrtarisht nga kryetari i komunës, Hekuran Duka më 25 të këtij muaji në orën 19:20, ndërsa aktorët e Teatrit të Gostivarit dhe Teatrit "Aleksandar Moisiu" nga Durrësi do të performojnë së bashku para publikut dibranë në shfaqen "Çifti i hapur" nga Dario Fo dhe Franka Rame me regji të Sulejman Rushitit.

Në ditët në vijim do të performojnë Teatri nga Tetova, Teatri Shqiptar - Shkup, Teatri Popullor Maqedonas - Shkup si dhe Teatri "Avdush Asani" nga Podujeva

Në natën e fundit të festivalit, nga teatri i Preshevës do të shfaqet shfaqja "Grafite" e Mehmet Krajës, pas së cilës do të ndahen çmimet për shfaqjen më të mirë, për regjisor, aktor dhe aktore.

"Falënderim i madh deri tek Ministria e Kulturës së Maqedonisë e cila sivjet na shpërbleu me 750 mijë denarë dhe natyrisht komunën e Dibrës, nga ku presim mbështetje prej 700 mijë denarë. Natyrisht, falënderoj edhe donatorët e tjerë. Dhe me këtë rast dua të përsëris kërkesën për institucionalizimin e festivalit të cilën e kërkojmë prej vitesh. Pres që më në fund të realizohet e gjithë kjo", potencoi Nuredini për MIA-n.

Festivali është pjesë e aktiviteteve kulturore në kuadër të manifestimit "Vera kulturore Dibër 2024". rq/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR