• e premte, 27 dhjetor 2024

Federata ndërkombëtare e gazetarëve: Gjithsej 94 gazetarë janë vrarë këtë vit, shumica në Gazë

Federata ndërkombëtare e gazetarëve: Gjithsej 94 gazetarë janë vrarë këtë vit, shumica në Gazë

Bruksel, 8 dhjetor 2023 (MIA) - Federata ndërkombëtare e gazetarëve (IFJ), organizatë udhëheqëse botërore për mbrojtje të të drejtave të gazetarëve, publikoi se nga fillimi i vitit janë vrarë 94 punëtorë mediatikë, shumica prej tyre në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, ndërsa pothuaj 400 prej tyre janë mbyllur.

IFJ njofton se 68 gazetarë, prej të cilëve shumica palestinezë, janë vrarë derisa kanë raportuar për konfliktin në Gazë, që sipas statistikave paraqet më shumë se një në ditë dhe 72 për qind nga numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes në mediume këtë vit.

"Lufta Izrael-Hamas është më vdekjeprurësja për gazetarët nga çdo konflikt tjetër prej se IFJ-ja filloi të mbajë evidencë në vitin 1990", njofton IFJ.

Ukraina mbetet në listën e "vendeve të rrezikshme për gazetarët", pothuaj dy vite pas fillimit të pushtimit rus, me ç'rast nga fillimi vitit 2023 janë vrarë tre punëtorë mediatikë, shtohet në kumtesë.

Deri tani në Amerikën Veriore dhe Jugore janë vrarë shtatë gazetarë, të cilët kanë humbur jetën derisa kanë hulumtuar grupe të armatosura ose keqpërdorim të mjeteve publike.

Në Afrikë janë evidentuar vrasje të katër punëtorëve mediatikë, për të cilat IFJ pohon se nuk janë hetuar mjaftë.

Vitin paraprak janë evidentuar gjithsej 67 vdekje të gazetarëve, prej të cilëve 12 janë vrarë në Ukrainë, ndërsa në vitin 2021 ky numër ishte 47. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR