• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës e forcon bashkëpunimin me disa institucione nga Republika e Turqisë

Fakulteti i Bujqësisë dhe Bioteknologjisë i Universitetit të Tetovës e forcon bashkëpunimin me disa institucione nga Republika e Turqisë

Tetovë, 5 tetor 2023 (MIA) - Një delegacion nga Republika e Turqisë është pritur sot në Universitetin e Tetovës nga Rektori, Jusuf Zejenli. Delegacioni kryesohej nga kryetari i Komunës Keles të Turqisë, Mehmet Keskin, në shoqëri të Erdem DURGUT - Inxhinier i bujqësisë, Hamit Azgun - drejtor nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Omer Dogan - drejtor i degës së Prodhimit Bimor dhe Shëndetit të Bimëve, si dhe koordinator i Qendrës Kulturore të Kosovës i Bursës, Rexhep Gundus, si dhe Kryetari i Komunës së Tearcës në Maqedoninë e Veriut, Nuhi Neziri, thuhet në njoftimin nga Zyra për informim e UT-së.

Në këtë takim, fillimisht rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejenli në pika të shkurtra mysafirët i njoftoi me zhvillimet aktuale në Universitetin e Tetovës, rrugëtimin që ka bërë institucioni ynë ndër vite, bashkëpunimin ndërkombëtar e sidomos me universitetet nga Bursa, si dhe planifikimet që ka për të ardhmen.

Më pas, palët diskutuan edhe për mundësitë e zhvillimit të bujqësisë në regjionin e Pollogut, nëpërmjet Fakultetit të Bujqësisë dhe Biotekonlogjisë të Universitetit të Tetovës. Ndërsa përfaqësuesit turk fillimisht dhanë disa informacione për zhvillimin e bujqësisë në qytetin e Bursës, nivelin e zhvillimit, veprimtaritë më të zhvilluara rreth kultivimit të pemëve dhe perimeve, mekanizimin që ato përdorin për të lehtësuar punën në bujqësi, si dhe zhvillimin teknologjik në ruajtjen, deponimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore. Ata po ashtu shtuan se kanë vërejtur që Regjioni i Pollogut ka një klimë të favorshme për kultivimin e disa kulturave bujqësore dhe nisur nga kjo, shprehën gatishmërinë e tyre për mundësinë e bashkëpunimit konkret në një të ardhme të afërt mes Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë të Universitetit të Tetovës. Ata gjithashtu bënë thirrje që një pjesë e stafit dhe studentëve të këtij fakulteti të shkojnë për vizitë në qytetin e Bursës.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë, Bardhyl Limani tha se fakulteti që ai drejton është një ndër fakultetet më të reja të themeluara në kuadër të Universitetit të Tetovës. Sipas tij, ky fakultet ka nevojë për zhvillim dhe bashkëpunim me institucionet tjera edhe nga jashtë vendit dhe se në kuadër të programit Erasmus plus veç kemi bashkëpunime edhe me disa universitete nga Turqia. Ai po ashtu tregoi se në menaxhim të Fakultetit të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë kemi dhe 20 ha fushë eksperimentale si dhe elaboroi rreth gjendjes së bujqësisë në regjionin e Pollogut. Ai tha se bashkëpunimi me palën turke në zhvillimin e bujqësisë në Pollog do të ishte shumë produktiv duke stimuluar popullatën përmes programeve të ndryshme që të angazhohen sa më tepër në zhvillimin e bujqësisë. ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR