• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Fakulteti Filozofik dhe Parlamenti Studentor i UT-së organizuan aktivitete të ndryshme për 28 Nëntorin

Fakulteti Filozofik dhe Parlamenti Studentor i UT-së organizuan aktivitete të ndryshme për 28 Nëntorin

28 nëntor 2023

Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës me një akademi solemne e shënoi sot 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë është një nga festat më të rëndësishme të shqiptarëve sepse shënon momentin kur shqiptarët e afirmuan identitetin dhe sovranitetin e tyre kombëtar.

Akademinë solemne për nder të kësaj dite e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Ibish Kadriu i cili tha se Universiteti i Tetovës përmes shënimit të datave të rëndësishme të historisë dhe kulturës kombëtare, në vazhdimësi dhe me përkushtim, përcjell te studentët dhe përmes tyre edhe te shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, frymëzimin, idetë dhe kauzën e drejtë të të gjithë atyre brezave që emri shqiptar, gjuha shqipe, arsimi shqip të jenë të barabartë dhe të gëzojnë respektin e duhur në botën e qytetëruar. “Është detyrë e çdonjërit prej nesh që të angazhohemi, që e nesërmja jonë të jetë më e mirë se e sotmja. Ta duam, ta ndihmojmë, të bashkëpunojmë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve që duhet të jenë përparësi dhe jo pengesë, vetëm kështu do të mund të plotësonim amanetin e rilindësve tanë, për të cilët gjendja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve ishte barometër dhe busullë e jetës së tyre, ashtu siç e ka thënë me pak fjalë shpirti, Isa Boletini: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria!”, u shpreh Prof. Dr. Ibish Kadriu.

Ndërsa profesoresha e Katedrës së historisë Doc. Dr. Albnora Musa u shpreh se për shqiptarët ky rrugëtim nuk ka qenë fare i lehtë dhe sot më tepër se çdo ditë do të duhet ta kujtojmë dhe ta nderojmë sakrificën e të gjithë atdhetarëve të cilët dhanë jetën e tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare, si një çështje aspak e lehtë. “28 Nëntori është data më madhështore në gjithë historinë e kombit shqiptar, kjo ditë përmban një simbolikë të veçantë për kombin shqiptar. Sikurse dihet 28 Nëntori i 1912 nuk u zgjodh rastësisht për shqiptarët. Kjo datë kishte një domethënie të veçantë pasi më 28 nëntor 1443, rikthehet në Krujë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili ngriti flamurin kombëtar. Ky flamur valoi i pamposhtur në Kalanë e Krujës dhe në kullat e kalatë e tjera arbërore, për 25 vjet, për sa kohë që kryeheroi ynë udhëhoqi popullin dhe Shqipërinë kundër pushtuesve osmanë. U deshën 444 vjet pritje e vuajtje, tmerr e robëri nën atë pushtues, si dhe shumë eksode e zbrazje masive të trojeve tona nga qeniet arbërore, derisa rifilloi sërish valimi i Flamurit të Arbrit, i cili qe zbuluar nga “enciklopedia ne ecje” - mendjendrituri Faik Konica, derisa valoi në Vlorë më 28 nëntor të 1912 nga dora e Ismail Qemalit" , tha Doc. Dr. Albnora Musa.

Ndërsa Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, e festoi këtë ditë me aktivitete të shumta si: aktivitete me fëmijë, përgatitur nga Laboratori i psikologjisë, recitime nga studentët e Fakultetit Pedagogjik dhe Filologjik si dhe pikë artistike nga studentët e Fakultetit të Arteve. Aktivitetet e Parlamentit Studentor u përmbyllën me një ndeshje futbolli nga studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tetovës.

Universiteti  i Tetovës

_______________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR