EVN Home e pranoi ofertën nga SHA EMV prej 60 euro për megavat orë energji elektrike
- - EVN Home si Furnizuesi Universal i energjisë elektrike e pranoi ofertën e SHA EMV prej 60 euro për megavat orë për mbulimin e për 85 për qind të nevojave. Për nevojat e mbetura prej 15 për qind, në tenderin për periudhën korrik - dhjetor kanë arritur tri oferta, por ato nuk janë pranuar për shkak të çmimeve më të larta në raport me çmimet momentale të tregut.
- Post By Fitore Curri
- 18:38, 20 qershor, 2024
Shkup, 20 qershor 2024 (MIA) - EVN Home si Furnizuesi Universal i energjisë elektrike e pranoi ofertën e SHA EMV prej 60 euro për megavat orë për mbulimin e për 85 për qind të nevojave. Për nevojat e mbetura prej 15 për qind, në tenderin për periudhën korrik - dhjetor kanë arritur tri oferta, por ato nuk janë pranuar për shkak të çmimeve më të larta në raport me çmimet momentale të tregut.
Nga EVN Home informuan se kanë pranuar oferta nga kompanitë "Duferco", EMV Shitje dhe Sole24.
"Për 85 për qind të nevojave të Furnizuesit Universal, EVN Home pranoi vetëm një ofertë, edhe atë nga SHA EMV me çmim të shitblerjes prej 60 euro për megavat-orë, ndërsa për 15 për qind të nevojave të Furnizuesit Universal, EVN Home pranoi tre oferta nga kompanitë Duferco MK, EMV Shitje dhe Sole24, me çmime të ofruara që ishin rreth dy herë e gjysmë më të larta në raport me çmimin e ofruar nga SHA EMV për 85 për qind të nevojave, ndërsa për nevojat e mbetura prej 15 për qind, ofertat e kompanive nuk u pranuan nga ana e EVN Home për shkak të çmimeve dukshëm më të larta në krahasim me ato të tregut për momentin", bëhet e ditur në kumtesë.
Nga 1 korriku 2024 EVN vazhdon të furnizojë me energji elektrike amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.
"Kontrata me Qeverinë për sigurimin e shërbimit universal është nënshkruar më 18.06.2024, pas së cilës vijon procesi i licencimit në Komisionin Rregullator për Energjetikë. Ky proces, i cili është i nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike, paraqet një sfidë të madhe, për shkak të periudhës së shkurtër deri në përfundimin e vlefshmërisë së licencës ekzistuese, si dhe pyetjeve të hapura lidhur me mënyrën e qasjes për zgjatjen e licencës për periudhën e 5 viteve në vijim. Nën monitorim të plotë të Komisionit Rregullator për Energjetikë dhe në përputhje me obligimet ligjore dhe metodologjisë paraprakisht të përcaktuar, në periudhën në vijim EVN Home do ta përllogarisë çmimin e energjisë elektrike sipas parametrave hyrëse të paracaktuara", thonë nga EVN.
Në çmimin përfundimtar hyjnë çmimi me të cilin SHA EMV ia shet energjinë elektrike EVN Home-it, çmimi i Sistemit Operator Përçues MEPSO, çmimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO, si dhe çmimi i Sistemit Operator Distributiv - Elektrodistribuimi.
Një grup deputetësh nga koalicioni "Maqedonia Jote" i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot në Kuvend ka dorëzuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Energjetikë me procedurë të shkurtuar me çfarë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë.
"Një grup deputetësh nga koalicioni 'Maqedonia Jote' i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sot jam i pari që e nënshkruan, dorëzuam në arkivin e Kuvendit të Maqedonisë Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit me procedurë të shkurtuar, me çfarë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, gjegjësisht standardi i qytetarëve do të mbrohet dhe nuk do të lejohet rritje dramatike e çmimit të energjisë elektrike", deklaroi sot lideri i VMRO-DPMNE-së dhe mandatar i Qeverisë, Hristian Mickoski.
Me dorëzimin e propozim-ligjit, siç tha, do të parandalohet një rritje prej 5 për qind të çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga 1 korriku, sipas vendimit të marrë këto ditë nga Qeveria teknike. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s