• e enjte, 26 dhjetor 2024

ESHR me raport të pafavorshëm për Ministrinë e Kulturës: 318 milionë denarë janë paguar për projekte kulturore, pa kritere të definuara qartë

ESHR me raport të pafavorshëm për Ministrinë e Kulturës: 318 milionë denarë janë paguar për projekte kulturore, pa kritere të definuara qartë

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) – Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizion të raporteve financiare bashkë me revizionin e përputhshmërisë të Ministrisë së Kulturës për vitin 2023. Në raportet përfundimtare të publikuara sot të Ministrisë së Kulturës, theksohet se janë vërtetuar gjendjet, parregullsitë dhe mospërputhjet të cilat ndikojnë në mendimin e pafavorshëm të revizorit të autorizuar shtetëror lidhur me realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe mendimit me rezervë për përputhshmërinë  me rregulloren ligjore, udhëzimeve dhe politikave të vendosura. 

Lidhur me fondin e librave të regjistruar të Ministrisë, në kumtesën e ESHR-së thuhet se me revizionin e kryer është konstatuar se ai buron nga 17 projekte kapitale për shtypjen e librave të realizuar në periudhën 2009-2019, në vlerë të përgjithshme prej 408.123 mijë denarë dhe përfshin 686.318 kopje. Për shkak të mungesës së një plani për shpërndarjen e librave të shtypur dhe të pashpërndarë, një problem i madh krijohet me sistemimin e kësaj sasie të madhe, e ndërlikuar më tej nga mungesa e interesit nga institucionet shtetërore për marrjen në dorëzim të librave për shkak të përmbushjes së kapacitetet e tyre. Gjithashtu, nuk është bërë inventarizimi për të përcaktuar gjendjen faktike, si për sa i përket numrit të librave ashtu edhe kushteve në të cilat ato ruhen, gjë që mund të sjellë dëmtimin e tyre.

Lidhur me realizimin e prioriteteve për zhvillim dhe avancim të kulturës, është konstatuar se Strategjia e fundit Kombëtare e miratuar për zhvillim të kulturës nga Kuvendi e mbulon periudhën 2018-2022, duke i lënë aktivitetet për vitin 2023, mjet i revizionit aktual, pa udhëzime të qarta. Ministria nuk ka sjellë plan vjetor as për periudhën paraprake, as për vitin 2023, që është shënuar edhe në raportet paraprake të revizionit.  

“Mungesa e strategjisë afatgjate për zhvillim të kulturës sjell në prioritete të përgjithshme të vendosura dhe krijon sfida në planifikimin e aktiviteteve kulturore. Në dhjetor të vitit 2023 Qeveria miratoi Strategji të re kombëtare për kulturën për periudhën 2023-2028, por e njëjta nuk është miratuar në Kuvend”, bëhet e ditur në raport. 

Me revizionin janë konstatuar mangësi në ndarjen e mjeteve për projekte kulturore, të cilat realizohen përmes konkursit vjetor në përputhje me Ligjin për kulturë. Është vërtetuar se nuk ka kualifikime të qarta për anëtarët e komisionit, prioritetet në konkurse janë shpeshherë të përgjithshme dhe jo të bazuara në politika afatgjata, si dhe kriteret e vlerësimit të projekteve nuk janë të përcaktuara në mënyrë strikte, gjë që krijon hapësirë ​​për subjektivizëm, emërim të paaftë të anëtarëve dhe kategorizimin e parregullt të projekteve. Këto mangësi çojnë në ndarje të pamjaftueshme cilësore të mjeteve, ndërsa komisionet vlerësojnë projektet pa udhëzime specifike dhe pa kritere për notimin negativ të autorëve të pasuksesshëm.

“Në vitin 2023, Ministria e Kulturës ka paguar gjithsej 318.152 mijë denarë për projekte të miratuara të shfrytëzuesve të tjerë, që e thekson nevojën urgjente për rregulla të qarta dhe kritere në shpërndarjen e mjeteve. Edhe krahas prioritetit për reforma në këtë lëmi, propozimi për ligj të ri, i cili mund ta përmirësojë sistemin, ende nuk është miratuar”, bëhet e ditur në kumtesën në të cilën është dhënë edhe pasqyrë më e hollësishme tabelare për çdo veprimtari nga sfera e kulturës për shfrytëzues të tjerë.

Në kuadër të Konkursit vjetor për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë për vitin 2023, Ministria e Kulturës mbështeti 74 nga 185 aplikime për projekte ndërdisiplinore, që përfaqëson 40% të propozimeve, me pagesë totale prej 22.185 mijë denarë. Përkundër faktit se aktiviteti ndërdisiplinor nuk është formalisht i përcaktuar në Ligjin për Kulturë, Ministria vazhdon të financojë projekte jashtë kategorive të përcaktuara, gjë që nuk është në përputhje me Ligjin për kulturën. Për shkak të marrëveshjeve financiare që lejojnë financimin e më shumë se dy projekteve nga një person juridik, si dhe mungesës së dokumentacionit dhe vlerësimit të plotë të ndryshimeve të marrëveshjeve, rrezikohet transparenca dhe drejtësia në ndarjen e mjeteve . Këto mangësi hapin hapësirë ​​për parregullsi dhe favorizim të projekteve të caktuara në aktivitetet ndërdisiplinore.

Në raportin e revizionit shënohet se janë konstatuar mangësi edhe në shpërndarjen e mjeteve për projekte me interes kombëtar, veçanërisht në bashkëpunimin ndërkombëtar kulturor, të cilat tregojnë mungesë të transparencës. Një pjesë e mjeteve të paguara për projekte nuk janë ndarë përmes konkurseve të rregullta, ndërsa disa persona juridikë kanë marrë mbështetje mbi limitin prej katër projekteve, që e dëmton respektimin e kushteve të përcaktuara. 

Tetë projekte kanë marrë gjithsej 5.407 mijë denarë pa shkaqe objektive për mosdorëzimin e aplikimeve. 

Edhe pse, Ministria ka miratuar Udhëzim për financim, bëhet e ditur, kjo nuk ofron udhëzime mjaftueshëm precize, që krijon situatë të pafavorshme për pjesëmarrësit e tjerë në konkurse. Është e nevojshme ndërmarrja e aktiviteteve për vërtetimin e kritereve të qarta për financim të cilat do të sigurojnë trajtim të drejtë të të gjithë aplikuesve. 

Në vitin 2023, Ministria ndau 37.392 mijë denarë subvencione kapitale për nëntë komuna për ndërtimin e objekteve kulturore, ndërsa pagesa e mjeteve u bë me pranimin e kërkesës me dokumentacion të bashkangjitur. Por, thuhet se për Komunën e Likovës, Qeveria ka marrë vendim që të ndajë 30 mijë denarë shtesë për projektin “Shtëpia e Kulturës” në fshatin Mateç, por pagesa është bërë pa nevojën e dorëzimit të dokumentacionit, gjë që, theksojnë, nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara për komunat e tjera. Ky projekt, i cili filloi në vitin 2014, paraprakisht kishte marrë 25.000 mijë denarë nga Ministria, por mjetet e përcaktuara nuk janë adekuate për aktivitetet e planifikuara, gjë që krijon rrezik për shfrytëzim jo të duhur. Këto aktivitete, u konstatua se nuk janë në përputhje me Ligjin për ekzekutimin e buxhetit për vitin 2023 dhe Ligjin për kontabilitet, të cilat kërkojnë përdorimin e qëllimshëm dhe racional të mjeteve buxhetore.

Me revizionin, janë konstatuar mangësi në regjistrimin e mjeteve dhe dokumentacionit të projektit për objektet kapitale në periudhën 2012-2023. Gjithashtu, është konstatuar se njësia për revizion të brendshëm, nuk është krijuar, pra nuk ka siguri të arsyeshme për funksionimin e menaxhimit financiar dhe kontrolleve (MFK). Gjithashtu, janë konstatuar kompensime pa bazë ligjore, si dhe lëshime në dy furnizime publike në vlerë të përgjithshme prej 18.455.000 denarë. Këto lëshime mund të kenë një ndikim negativ të konkurrencës dhe cenojnë parimin e trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, konstatohet në raportet përfundimtare të revizionit të Ministrisë së Kulturës, të publikuara nga ESHR. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR