• e premte, 27 dhjetor 2024

Enti Shtetëror i Revizionit, Antikorrupsioni dhe Avokati i Popullit me rezultate më të mira për integritet, më të dobëta Prokuroria, gjykatat dhe shërbimet për zbatimin e ligjeve

Enti Shtetëror i Revizionit, Antikorrupsioni dhe Avokati i Popullit me rezultate më të mira për integritet, më të dobëta Prokuroria, gjykatat dhe shërbimet për zbatimin e ligjeve

Shkup, 12 janar 2024 (MIA) - Enti Shtetëror i Revizionit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Avokati i Popullit, kanë rezultatet më të mira për integritet, llogaridhënie, përgjegjësi dhe gatishmëri për të luftuar korrupsionin dhe sipas raporti të ri të Transparenci Interneshënël (TI) Maqedoni, janë tre shtyllat e para me më tepër pikë në Sistemin Kombëtar të Integritetit që përfshin 15 shtylla. Prokuroria Publike është shtylla me vlerësimin më të ulët, ndërsa rezultate shumë të dobëta kanë edhe shërbimet ligjzbatuese dhe gjykatat.

Raporti për Sistemin Kombëtar të Integritetit, i cili u prezantua sot, është punuar nga TI Maqedoni dy vitet e kaluara. Ai përfshin një analizë të 15 shtyllave të integritetit, duke përfshirë Parlamentin, Qeverinë, sektorin publik, sektorin privat, median, Prokurorinë Publike, gjykatat, shërbimet ligjzbatuese, ndërmarrjet publike... Të gjitha shtyllat janë të analizuara nga pikëpamja se sa të qëndrueshme janë ato si shtylla integriteti.

“Mund të themi se kulla e integritetit kombëtar nuk mund të qëndrojë ende e qëndrueshme pa u vendosur apo mbështetur siç duhet tek të gjitha këto shtylla. Të gjithë ata duhet të punojnë së bashku për të krijuar një sistem të mirë të integritetit kombëtar dhe jo vetëm për të punuar dhe bashkëpunuar, por edhe për të kontrolluar njëri-tjetrin, që është një element që mungon seriozisht në vendin tone”, tha Sllagjana Taseva, kryetare e TI-Maqedoni , duke paraqitur rezultatet e raportit të tretë të integritetit.

Sipas saj, nuk ka përmirësime në rezultatet e Sistemit Kombëtar të Integritetit që nga viti 2022, sepse ato janë të ngjashme dhe identike dhe në disa pjesë rezultatet janë edhe më keq se raporti i mëparshëm i vitit 2016.

Enti Shtetëror i Revizionit, është sërish shtylla kryesore që ka më shumë integritet, që punon sipas rregullave dhe ligjeve, që ende nuk ka burime të mjaftueshme dhe është një nga institucionet që mund të mbështesë më tej shtyllat e tjera të integritetit. Shtylla e dytë me rezultatin më të mirë është KSHPK-ja, që gjithashtu funksionon me kapacitete të pamjaftueshme për sa i përket burimeve, por në pjesët e tjera kanë një rezultat të shkëlqyer. Dhe i treti është Avokati i Popullit. Është e qartë se institucionet e pavarura tregojnë integritet dhe përgatitje më të madhe për të përmbushur rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Fatkeqësisht, ajo që më së shumti duhet të tregojë kapacitet dhe gatishmëri, duke filluar nga integriteti dhe gatishmëria në luftën kundër korrupsionit, është sërish Prokuroria Publike, e cila është një ndër shtyllat me rezultat më të dobët, gjegjësisht shtylla më vlerësim më të ulët, e cila ka vetëm 38.9 për qind, respektivisht pikë. Rezultate të dobëta kanë edhe shërbimet ligjzbatuese dhe gjykatat”, theksoi Taseva.

Media ka një mesatare prej 58 pikësh dhe këtu, tha Taseva, duhet të punohet seriozisht në rregullat e llogaridhënies, duke filluar nga pronësia dhe financimi.

Taseva sqaroi se është analizuar se çfarë është shkruar në ligje dhe si zbatohet në praktikë, pastaj resurset, gjegjësisht çfarë duhet të kenë institucionet në dispozicion që të mund të bëjnë punën e tyre, sa janë siguruar ato resurse dhe si përdoren.

Sipas Tasevës, institucionet e pavarura, të cilat gjithmonë vlerësohen mirë, nuk vlerësohen sa duhet në shoqërinë tonë dhe kjo vjen si rezultat i politizimit. Si shembuj ajo ka theksuar se nuk veprohet sipas raporteve të Entit Shtetëror të Revizionit dhe Komisionit Kundër Korrupsionit, iniciativat e të cilëve nuk pranohen nga Prokuroria Publike sepse, siç tha ajo, “në njëfarë mënyre konsiderohet si ndërhyrje në punën e tyre”.

“Po e shohim edhe ditët e fundit se çfarë po ndodh – po tentohet që institucionet të jenë nën kontroll politik, kjo është ende simptomë e një shteti të robëruar që po përpiqet të kontrollojë të gjitha institucionet. Fatmirësisht, këto institucione kanë arritur të sigurojnë integritetin e tyre ashtu siç janë të krijuara me ligj dhe padyshim që nuk u jepet mundësia të punojnë mjaftueshëm sepse nuk kanë burime të mjaftueshme”, theksoi Taseva.

Kritikat nga jashtë dëgjohen gjithmonë më mirë, por tani edhe kjo nuk mjafton, tha ajo dhe vlerësoi se njerëzit “nuk reagojnë më as ndaj deklaratave të ambasadorëve dhe as ndaj raportit të keq të Komisionit Evropian”.

- Kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska para skadimit të mandatit të përbërjes së KSHPK-së të cilën e kryesoi ajo, është e kënaqur nga puna e bërë. Edhe krahas kushteve

Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së – shtylla e dytë e renditur për sa i përket integritetit në sistemin kombëtar, tha se është shumë e lumtur që institucionet e pavarura arrijnë të ruajnë dhe rrisin besimin e qytetarëve.

“Sondazhet treguan se KSHPK-ja krahasuar me një vit më parë ka dyfishuar besimin e qytetarëve dhe kjo është pozitive. Si të vazhdohet - pa u lodhur. Pra, duhet të vazhdohet, presioni duhet të bëhet edhe nga institucionet e pavarura që u drejtohen institucioneve të tjera me rekomandimet apo iniciativat e tyre, por edhe nga ju - media si zëri i popullit. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë presion dhe thjesht të lëmë profesionalizmin të dalë në pah. Përndryshe nuk shoh rrugëdalje nga e gjithë kjo situatë, tha kryetarja e KSHPK-së.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR