• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

EMV: Subvencione për energjinë e ngrohjes për amvisëritë edhe këtë sezonë të ngrohjes

EMV: Subvencione për energjinë e ngrohjes për amvisëritë edhe këtë sezonë të ngrohjes

Shkup, 29 shkurt 2024 (MIA) - EMV Furnizim me ngrohje sot përmes një kumtese informoi se subvencione të çmimeve të energjisë për ngrohje për amvisëritë do të ketë dhe këtë sezon të ngrohjes. 

"Faturat për energji të ngrohjes për sezonin e ngrohjes 2023/2024, të cilat do t'u dorëzohen konsumatorëve nga kategoria e amvisërive në periudhën në vijim, të cilat i referohen muajve janar, shkurt, mars dhe prill, do të përfshijnë masën e subvencionimit të çmimit të enegjisë për ngrohje. Subvencionet për muajin tetor, nëntor dhe dhjeor do të llogariten dhe do të ulin shumën e kompensimit real të shpenzuar për sezonin e ngrohjes", thuhet në kumtesë

Nga EMV sqarojnë se furnizimi me ngrohje dhe mbështetja financiare për secilin konsumatorë është treguar në faturë për secilin muaj do të ndahen veç e veç dhe se kjo mbështetje do të sigurojë uljen e faturave balancuese në maj, qershor dhe korrik, kur konsumatorët  duhet të ndjejnë përfitimin e masës.

Përndryshe sot, Komisioni Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhim me Mbetjet Komunale (KRRE) për 35 për qind e ka ulur çmimin e ngrohjes qendrore për të gjithë shfrytëzuesit afarist në Qytetin e Shkupit. Vendimi për uljen e çmimit, siç tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski në konferencën e sotme për shtyp, bazohet në uljen e çmimit të gazit natyror në bursat botërore. 

"Rezultatet treguan se në periudhën e fundit çmimi i gazit natyror në bursë është më i ulët se sa ishte parashikuar, me të cilën plotësohen kushtet për të marrë një vendim të favorshëm për kategorinë e shfrytëzuesve tjerë, të cilët, sërish, në periudhën turbulente të krizës energjetike e ndërmorën ngarkesën dhe morën fatura reale për dallim nga amvisëritë, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe të kaluar të krizës energjetike merrnin fatura me subvencione. Besoj se me këtë do të mundësojmë edhe trend të rritjes të numrit të konsumatorëve të rinj të cilët janë nga kategoritë para se gjithash të shfrytëzuesve afarist", tha Bislimovski. rq/mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR